Thu, Nov 28, 2024

Sulmi i Izraelit në Liban me 9 viktima, “provokim” për Hezbollahun?

  • PublishedAugust 17, 2024

Në kohën kur përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshje paqeje në Gaza janë intesifikuar ndjeshëm me shpresat e vulosjes së një ujdie javën që vjen, Izraeli ndërmori një sulm në jug të Libanit, që i kushtoi jetën 9 personave ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur.

Ushtria e shtetie hebre deklaroi se goditi një depo armësh në qytetin Nabatie, e cila sipas saj përdorej nga luftëtarët e Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Tensionet janë rritur javët e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, pasi një sulm me raketa, për të cilin u fajësua Hezbollahu, la të vrarë 12 të rinj në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Izraeli u kundërpërgjigj duke vrarë një komandant të lartë të grupit militant gjatë një sulmi në periferi të Bejrutit.

Hezbollahu është zotuar se do t’i hakmerret Izraelit edhe për vrasjen në Iran të Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Luftëtarë të tij dhe forcat izraeluite shkëmbejnë zjarr në kufi pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit.

Si pasojë e dhunës ndërkufitare, në Liban janë vrarë 579 persona, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por edhe të paktën 121 civilë, sipas të dhënave të agjencisë AFP. Ndërkaq, në Izrael, përfshirë në Lartësitë e Golanit, janë vrarë 22 ushtarë dhe 26 civilë.



AlbaniaWeb.net