Fri, Nov 29, 2024

EMRI/ Pjesë e një rrjeti mashtrimi në Europë, arrestohet në Emiratet e Bashkuara shqiptari. Pritet ekstradimi

  • PublishedAugust 21, 2024

Vijon me intensitet operacioni “Para drejtësisë”, arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe një person i kërkuar për mashtrim
Policia e Shtetit, në kuadër të masave të marra për zbatimin e operacionit “Para drejtësisë”, vijon me intensitet shkëmbimin e informacionit me vendet e organizatat partnere për arrestimin, ekstradimin, sjelljen drejt Shqipërisë dhe vendosjen në dispozicion të organeve të drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga bashkëpunimi i “Interpol Tirana” me “Interpol Abu Dhabi” është bërë e mundur më datë 20.08.2024 arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind Cekaj. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin penal të datës 18.10.2023, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit, grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal.

Pas hetimeve ka rezultuar se, shtetasi Erlind Cekaj, në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur “IT PumaTS/SM Company”, të lidhur me kompaninë “Milton Group”, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese dhe vepronin në mbarë botën. Ky rrjet drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, etj.

Rrjeti kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese, si “Absolut Global Markets”, “AurumPro”, “Finaxis”, etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e Bashkimit Europian, duke u shkaktuar atyre dëme financiare që arrijnë në miliona euro.
Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende, si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria, nën koordinimin e “Eurojust”.



AlbaniaWeb.net