Mesazhi prekës i Sven-Goran Eriksson: Nuk dua keqardhje, duhet të mësojmë ta pranojmë vdekjen
Ish-trajneri i njohur, Sven-Goran Eriksson u diagnostikua në janar të këtij viti me tumor në pankreas dhe iu tha se i kishte mbetur edhe një vit jetë.
Në një dokumentar për jetën e tij “Amazon Prime Video”, 76-vjeçari ka dhënë mesazh prekës. Ai kërkon të mos ketë keqardhje, por të pranohet vdekja, si pjesë e jetës.
“Kam pasur një jetë të mirë. Mendoj se të gjithë jemi të frikësuar nga dita kur vdesim, por jeta ka të bëjë gjithashtu me vdekjen. Duhet të mësosh ta pranosh ashtu siç është. Shpresoj se do të më mbani mend si një djalë pozitiv që u përpoq të bëjë gjithçka që mund të bënte. Mos kini keqardhje, buzëqeshni. Faleminderit për gjithçka, trajnerë, lojtarë, tifozë, ka qenë fantastike. Kujdesuni për veten dhe kujdesuni për jetën tuaj. Dhe jetojeni atë.”
Eriksson thotë se jeta është shumë e shkurtër, ndërsa theksoi se është me fat që njerëzit flasin mirë për të, tani që është i gjallë.
“Ai që ka thënë se jeta është shumë e shkurtër, ka pasur të drejtë. Kujtoni gjithmonë momentet e mira në jetë. Është e trishtueshme, por është edhe e bukur.
Që kur zbulova se kam kancer, kam udhëtuar në të gjithë Suedinë, Anglinë, Italinë dhe Portugalinë. Jam përlotur shumë herë, kur kam parë dashamirësinë e njerëzve ndaj meje. Zakonisht njerëzit flasin mirë për ata që janë të vdekur. Unë jam me fat, sepse ata flasin mirë për mua, sa jam ende gjallë.”, deklaroi Eriksson.
Suedezi ishte trajner i Anglisë, me të cilët shkoi deri në çerekfinalet e Botërorit në vitin 2002 dhe 2006. Eriksson drejtoi gjithashtu në vendlindje skuadrën e Gothenburg, në Portugali Benfica-n dhe Lazio-n në Itali.