Opozita kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Himarë, KAS hap kutitë e votimit
Hapja e kutive të votimit do të bëhet për të verifikuar kopjen e të gjithë regjistrave të posaçëm, procesverbalëve dhe dokumenteve të tjera brenda kutive të votimit, pasi opozita pretendon për parregullsi në zgjedhje.
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, KAS, u vu në lëvizje pas kërkesës së Partisë Demokratike dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që pretendojnë se zgjedhjet e Himarës duhet të shpallen të pavlefshme.
Në dy seancat e zhvilluara më 21 dhe 22 gusht, përfaqësuesi ligjor i PD, Franci Nuri kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së të gjithë procesit.
Sipas Nurit, nga provat që u janë vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vihen re parregullsi. Duke iu referuar një tabele me rezultatet përmbledhëse të votave në Himarë, e cila ishte kontestuar dhe nga socialistët, ai tha se vetëm hapja e kutive mund të shuajë dyshimet e të gjithëve.
“Nga këto elementë që na janë vënë në dispozicion, ne konstatojmë që kjo tabelë, që u vendos në dyshim edhe nga përfaqësuesi i PS, sepse tha për shifrën 53 qytetarë të Himarës që dalin me pasaporta të vlefshme nga 23 mijë, ai tha që mund të jetë lapsus, një gabim material nga nxitimi,” tha Nuri. “Por nëse kjo kutia këtu shifra 53 të jetë gabim, pse mos të jenë gabim dhe shifrat e tjera? pyeti ai.
Duke vënë në dyshim shifrat e miratuara në tabelat përmbledhëse të KQZ, Nuri parashtroi edhe pretentimet e tjera të opozitës dhe duke përmendur shifrat e personave që janë verifikuar gabim apo të zgjedhësve të zhvendosur së fundmi në Bashkinë Himarë, ai tha se ndikimi në rezultat është i dukshëm.
“Janë të paktën 1435 shtetas që dalin me verifikim të gabuar. Këtyre si numër ne u shtojmë të paktën edhe 311 të zhvendosur nga bashki të tjera sipas raportit të audituesit teknicien. Kjo shifër nuk është shifër e neglizhueshme. Këtyre shifrave u shtojmë gjithashtu 560 zgjedhës që nuk u lejuan të votojnë, për shkak se kartat e identifikimit rezultuan të skaduara në mes të procesit zgjedhor,” shtoi ai.
Pas parashtrimit të kërkesave të opozitës, me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, u vendos hapja e kutive për të administruar të gjitha materialet zgjedhore. Pavarësisht këtij vendimi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike la të kuptohet se do të trokasin në dyer e Kolegjit Zgjedhor.
“Nuk na është garantuar e drejta për një mbrojtje efektive dhe unë gjykoj se na është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, pretendoi ai.
Tashmë pritet që Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve të mblidhet sërish të premten për të debatuar mbi provat që do gjenden brenda kutive të votimit, nëse do evidentohen parregullsi.
Zgjedhjet në Himarë u fituan nga Vangjel Tavo me një diferencë prej 1477 votash kundrejt kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.