Sat, Nov 16, 2024

“Të mbështesim pa kushte Kosovën”, Begaj takim me trupin diplomatik: Qëndroni afër shqiptarëve! Objektiv kryesor, anëtarësimi në BE

  • PublishedAugust 27, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në mjediset e Institucionit të Presidencës ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë.

Begaj e cilësoi këtë pritje si një mundësi e mirë bashkëbisedimi për çështje me rëndësi të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë.

Duke i falenderuar për angazhimin e tyre, presidenti theksoi se falë ambasadorëve “kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive.”

“Punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjeopolitika u kthye në skenë, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë”, tha Begaj.

Presidenti u vuri në dukje se roli i tyre si diplomatë lidhet me ekspertizën e tyre, duke thënë se “në botën moderne ka shumë aktorë që merren me politikë të jashtme, por vetëm ju ushtroni diplomacinë. Përdoreni si duhet këtë epërsi”.

“Diplomati profesionist mbështetet te faktet, analiza dhe logjika e ftohtë. Përditësimi i vazhdueshëm i aftësive profesionale është kusht i nevojshëm për një diplomat. Sot është sfiduese të bësh diplomatin proaktiv, modern në teknologji, por tradicional në këmbënguljen për realizimin e objektivave strategjike në shërbim të interesit kombëtar. Ky është një profesion që kërkon zell, përkushtim dhe, mbi të gjitha, dashuri për profesionin, Shqipërinë dhe shqiptarinë”, tha më tej Presidenti.

Shqipëria, tha Presidenti, gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,  Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme.

“Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, theksoi ai, ndërsa bëri edhe një kërkesë të fundit, të qëndrojnë afër shqiptarëve dhe se “pres nga ju rol aktiv në sugjerimin e hapësirave për veprim diplomatik, siç pres edhe një komunikim dhe informim real e të drejtpërdrejtë për zhvillimet në vendet apo rajonet që mbulon”.



AlbaniaWeb.net