Rishikohet buxheti, më shumë para për fermerët, policët e sportistët! Ministri i Financave: Rrisim të ardhurat e parashikuara për këtë vit në 27 miliardë lekë
Qeveria ka rishikuar buxhetin për vitin 2024, duke rritur fondet për grantet e fermerëve, projekte të reja në Shëndetësi, kompensimin e policë apo shpërblimin e sportistëve.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se të ardhurat e parashikuara për këtë vit në vlerën 27 miliardë lekë.
“Janë miratuar disa ndryshime të rëndësishme për sa i përket buxhetit të vitit 2024, si rezultat i performancës pozitive të ekonomisë shqiptare dhe të ardhurave të realizuara nga agjencitë tatimore, doganore, të ardhurat e realizuara nga qeverisja vendore apo dhe të ardhura të realizuara jotatimore.
Kështu, rrisim të ardhurat e parashikuara për këtë vit në vlerën 27 miliardë lekë. Këto të ardhura shtesë janë menduar të shpërndahen në radhë të parë në sektorët që kanë ndikim të lartë në jetën sociale dhe në ato sektorë, që kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kemi rritur me rreth 500 milionë lekë financimet për Ministrinë e Bujqësisë në mënyrë që të mbështetet skema e granteve të fermerëve.
Kemi rritur financimet shtesë në masën 250 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të financohen projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor.
Kemi rritur financimin me 1.3 miliardë lekë për Ministrinë e Brendshme për kompensimin ushqimor të policisë, krahas orëve shtesë të punës, që do t’i përftojnë në kuadër të sezonit turistik.
Kemi rritur fondet për Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit me vlerën 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve, që kanë arritue rezultate të mira.
Kemi rritur financimet edhe Ujësjellës Kanalizime, me 2 miliardë lekë, pasi ka nevojë akoma të investohet”.
AlbaniaWeb.net