Thu, Nov 28, 2024

Si nisi saga e vrasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj/ Nga debati për 10 mijë lekë në 1996, në 8 të ekzekutuar në atentate mafioze

  • PublishedAugust 28, 2024

Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj e ka zanafillën 28 vite më parë.

Në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.

Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në këtë karburant dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.

Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve edhe vëllanë e Ardian Nikulaj. Dy viktimat ishin Pëllumb Nikulaj, dhe  Fran Qulaj.

Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, i cili ishte nip i familjes.

Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj.

Lekstakajt pritën plot dy dekada për të menduar vrasjen e radhës, atë të Ardian Nikulajt.

Në një atentat të mirëmenduar ai u vra më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin.

Disa ditë më parë Britania e Madhe vendosi ekstradimin e Edmond Haxhisë, Thomas Mithën, Herri Simpson the Harriet Bridgeman.

Nuk u mor vendim ekstradimi për Steven Hant, pasi është diagnostikuar me kancer.

Haxhia akuzohet nga prokuroria e Lezhës se ishte truri i organizmit dhe krijimit të kushteve për vrasjen e Ardian Nikulajt.

Edmond Haxhia është kushëri me Elton dhe Klodian Lekstakaj, në hasmëri me Nikulajt.

Në aktakuzë prokuroria e Lezhës thotë se katër britanikët e tjerë udhëtuan nga Anglia në Shëngjin për ta mbajtur viktimën nën survejim e më pas i çonin informacion Ruben Saraivës i cili e goditi për vdekje me 6 plumba Nikulajn.

Ndërkohë në 19 korrik të vitit 2023 u ekzekutua me armë zjarri në Balldre të Lezhës Nikolin Lekstakaj.

Pista kryesore e vrasjes së 42-vjeçarit është hasmëria mes dy fiseve.

Viktima nuk i druhej ndonjë atentati të mundshëm pasi lëvizte lirshëm. Ai i kishte shpëtuar dhe një atentati tjetër në vitin 2012 ku ishte vënë eksploziv në makinë dhe ende mbetet ngjarje e pa zbuluar.

Entjan Nikulaj është viktima e fundit brenda pak muajve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.

Vrasja ndodhi në dhjetor të 2023 përballë Ujësjellësit të Lezhës, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”. Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga 40-vjeçari Nikulaj.

40-vjeçari ishte kushëri me biznesmenin Ardian Nikulaj. Ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 25 gëzhoja automatiku, dyshohet se në këtë atentat janë përfshirë tre persona.

Makina e përdorur në atentat mbante targa të vjedhura në Tiranë. Mjeti u gjet duke i djegur në afërsi të Rinasit, pak orë pas ekzekutimit. Brenda “BMW-së” ngjyrë gri ndodhej edhe arma tip automatik, që mund të jetë përdorur në vrasjen e Nikulajt.



AlbaniaWeb.net