Merkatoja nuk është mbyllur ende, Elbasani pret edhe dy goditje të fundit
Edhe pse Elbasani duket i kompletuar në të gjitha repartet, sërish merkatoja nuk mund të quhet e mbyllur në kampin verdheblu.
Meqenëse bëhet fjalë për një kampionat të gjatë, ku elbasanasit kanë objektiva madhorë, u duhen që të kenë sa më shumë lojtarë në organikë për të dubluar çdo pozicion dhe për të përballuar sezonin.
Sipas të gjitha gjasave, në orët e fundit të mbylljes së merkatos, verdheblutë do të bëjnë dy goditje: një në portë dhe një në sulm. Bëhet fjalë për dy lojtarë të huaj, për të cilët thuhet se është arritur një marrëveshje paraprake dhe në ditët e mbetura të merkatos do të prezantohen.
Megjithatë, edhe nëse këto dy goditje nuk ndodhin, sërish mund të thuhet se verdheblutë janë të kompletuar, sepse kanë transferuar afro 15 lojtarë gjatë merkatos së verës, duke qenë një nga klubet më aktive në këtë dritare transferimesh.