Kritikoi sulmin ndaj Ukrainës, gazetari rus dënohet me 8 vite heqje lirie
Sergei Mikhailov, gazetar dhe redaktor i një faqeje interneti me bazë në rajonin malor të Altait, në Siberi, u dënua me tetë vjet burg të premten për publikimin e materialeve kritike mbi ofensivën e Moskës në Ukrainë.
Që prej fillimit të saj, Moska ka ndërmarrë një goditje masive ndaj mendimeve kundër në vend.
Sergei Mikhailov, u arrestua në javët e para të fillimit të fushatës ushtarake nga Kremlini në vitin 2022, menjëherë pasi u miratuan ligje shtypëse, që ndalonin kritikat ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Ai kishte publikuar informacione në internet mbi vdekjen e civilëve në periferi të Kievit, Buças dhe Mariupolit.
Një gjykatë në qytetin e Gorno-Altaiskut dha masën e dënimit për 48-vjeçarin, pasi e shpalli atë fajtor nën akuzat për “përhapje me vetëdije të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.
Prokurorët thanë se ai ishte “i motivuar nga urrejtja politike”.
Gazetari rus Sergei Mikhailov, drejtonte kanalin e vogël opozitar në mediat sociale të quajtur, Listok, prej republikës ruse të Altait që ndodhet në Siberi – një rajon që ka dërguar shumë vetë në Ukrainë.
Në një fjalim në gjykatë në fillim të kësaj jave, gazetari i qëndroi raportimeve të tij dhe kritikoi ashpër Kremlinin për dërgimin e trupave në Ukrainë.
Ai tha se donte të sqaronte publikun mbi mjegullnajën që kishin krijuar zyrtarët rusë, duke i quajtur udhëheqësit ukrainas “fashistë”.
“Botimet e mia kishin si qëllim t’i kundërviheshin kësaj mjegullnaje, në mënyrë që lexuesit e mi, të mos josheshin nga gënjeshtra, e të mos merrnin pjesë në një konflikt të armatosur, të mos bëheshin vrasës dhe viktima, si dhe të mos dëmtonin popullin vëlla ukrainas“, dëgjohej të thoshte gazetari Mikhailov, në një regjistrim audio të fjalimit, të publikuar nga Listok në rrjetet sociale.
Që nga fillimi i konfliktit të armatosur në shkurt të vitit 2022 më shumë se 1000 persona janë ndjekur penalisht në Rusi për kritikimin e ofensivës ruse kundër Ukrainës, sipas grupit që mbron të drejtat e njeriut, OVD-Info, një organizatë e ka përqendruar veprimtarinë në monitorimin dhe luftimin e qasjes shtypëse të Kremlinit.
AlbaniaWeb.net