Tue, Nov 26, 2024

Dritan Mehmeti i pezulluar, Dinamo kërkon pikët e para me Xhafën në stol

  • PublishedSeptember 1, 2024

Tri ndeshje me rezultate negative do të ishin shumë për Dinamon, jo vetëm për emrin e tij, por edhe për investimin që është bërë ketë verë te kryeqytetasit, kështu që të dielën duhet medoemos një rezultat pozitiv.

Në stolin e “Nëndetëses” nuk është më Dritan Mehmeti, i pezulluar nga klubi pas humbjes me Bylisin dhe i spostuar te skuadra U-21. Blutë do të drejtohen nga Erjon Xhafa në Elbasan të dielën, në përballjen me ekipin vendës, që vjen në një moment shumë të mirë. Ish-mbrojtësi, aktualisht drejtues i akademisë së Dinamos, ka marrë detyrën e trajnerit të përkohshëm dhe këto ditë është mundur të punojë me grupin e lojtarëve sidomos në aspektin psikologjik.

Qëllimi i vetëm i tij dhe gjithë stafit teknik është që Dinamo të bëjë kthesën të dielën në mbrëmje (ora 20:00) në stadiumin “Elbasan Arena”. Kryeqytetasit nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të luajnë të gjitha “kartat” që minimalisht të mos humbasin në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit. Stafi blu ka edhe një seancë të fundit në dispozicion për të vendosur, nëse mund të bëjë ndonjë ndryshim në formacion në krahasim me dy ndeshjet e para, apo jo.

Në nivelin e lojës kryeqytetasit kanë dhënë ndonjë sinjal pozitiv, por nuk kanë pasur efikasitet. Në klub janë të bindur se ka ardhur momenti për pikët e para dhe për të filluar ngjitjen në renditje. Një rezultat i mundshëm pozitiv në Elbasan do ta ndihmonte shumë skuadrën që të punonte e qetë në kohën e ndërprerjes së kampionatit, pasi drejtimin e saj ta ketë marrë Ilir Daja.

MERKATO – Dita e fundit e merkatos mund të sjellë ndonjë surprizë te Dinamo. Blutë kanë sistemuar mbrojtjen me Agron Rufatin për qendrën dhe Naser Alijin për krahun e majtë. Por mund të ketë edhe ndonjë surprizë të fundit edhe për prapavijën, përveç një afrimi që pritet në mesfushë, pasi pista e Mingos ra poshtë.

Gjithashtu, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë vazhduar përpjekjet për të gjetur edhe një qendërsulmues, por nuk duan që të firmosin pa qenë të bindur për vlerat e lojtarit që kërkojnë. Dinamo ka nevojë për një sulmues qendre me eksperiencë, pasi për këtë pozicion ka të gatshëm vetëm Mandelën. Me siguri orët e fundit para mbylljes zyrtare të merkatos do të ketë ndonjë goditje të befasishme nga klubi kryeqytetas.

AlbaniaWeb.net