Thu, Nov 28, 2024

Strategji e re për transparencën/ Kreu i grupit kuvendor të PS-së tregon nismën e mazhorancës: Do ta bëjmë Shqipërinë me qeverisjen më transparente në Ballkanin Perëndimor

  • PublishedSeptember 3, 2024

Kreu i ri Grupit Parlamentar Socialist, Niko Peleshi, në një intervistë me gazetarin e AlbaniaWeb.net, Muhamed Veliu, tregon detaje te reja për iniciativën e qeverisë ku përfshihet parlamenti për shtimin e transparencës dhe komunikimit me qytetarët

Muhamed Veliu: I thatë parlamentit dje se qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicie të re sa i përket transparencës. Për çfarë bëhet fjalë?

Niko Peleshi: Me Kryesinë e grupit, kemi marrë pjesë në një takim të zgjeruar që bëri të dielën qeveria shqiptare, ku ndër të tjera, kryeministri Rama shprehu vullnetin dhe ambicien për të ngritur në një nivel tjetër transparencën e qeverisë, të institucioneve dhe agjencive të saj.

Me dy fjalë, kemi një ligj të mirë për të drejtën e informimit publik, por nga ligji deri te zbatimi ka nevojë për përmirësim. Sepse sot, opinioni publik, gazetarët, të gjithë të interesuarit janë mësuar ta kenë informacionin në kohë reale, edhe për shkak të teknologjisë, kanë smartfonin në dorë, ndërkohë që ligji i informimit publik ka afatet e veta. Nga ana tjera, platforma e komunikimit me informacionin, aksesi për informacionin të gjerë, është disi i dalë kohe. Të presësh afatet që i dimë, që nuk janë të ekzagjeruara, por stonojnë. Qeveria synon të rindërtojë një kullë informacioni, ku aksesi është në kohë reale. Një Open Data për gjithçka që ndodh, në mënyrë që të aksesohen në kohë reale. Kjo ndihmon edhe në përfshirjen e publikut me një vendimmarrje në kohë reale. Besoj se do ta bëjmë Shqipërinë me qeverisjen më transparente në Ballkanin Perëndimor.



AlbaniaWeb.net