Ndeshjet e kombëtareve “përgjysmojnë” Partizanin, Veselinoviç stërvitje me grup të limituar
Gjatë këtyre ditëve Partizani do të kryejë një minifazë përgatitore me trajnerin e ri Aleksandar Veselinoviç. 54-vjeçari do të mundohet ta njohë ekipin sa më mirë dhe të injektojë idetë e tij rreth lojës, por edhe të kuptojë karakteristikat e lojtarëve të caktuar.
Megjithatë, misioni i tij nuk do të jetë i lehtë pasi trajneri serb do të duhet të punojë pa plot gjashtë lojtarë. Bintsuka (Kongo), Zeka (Shqipëria), Hadroj (Shqipëria), Ismaili (Kosova U-21), Preka (Shqipëria U-21) dhe Buxhelaj (Shqipëria U-21), do të jenë të angazhuar me ndeshjet e kombëtareve.
Sakaq, këto ditë janë një mundësi e mirë për Gjelbrim Taipin për tu rikthyer në formë optimale pas rikuperimit nga dëmtimi muskulor. Gjithsesi, praktikisht Veselinoviç do të duhet të ndërtojë planin e tij për derbin me Dinamon me gjysmën e ekipit, teksa pritet që në stërvitje të afrohen disa lojtarë nga të rinjtë.