Sun, Nov 10, 2024

Precedentët, fitorja e Shqipërisë ndaj Ukrainës një “tabu”, ja statistikat në përballjet direkte

  • PublishedSeptember 6, 2024

Ukrainë-Shqipëri do të jetë edhe sfida e parë e grupit 1, të Ligës për Nations League, e cila do të luhet në Pragë, të shtunën në mbrëmje. Liga e Kombeve tashmë është një kompeticion, që mund të shërbejë si dritare për të shkuar pse jo edhe Në Kupën e Botës 2026, në rast se diçka e tillë nuk ndodh nëpërmjet fushatës kualifikuese që nis vitin e ardhshëm.

Por sa shanse ka që kombëtarja jonë ta nis me një sukses Nations League ndaj Ukrainës? Patjetër që shanset janë të shumta, sidomos nëse kujton performancën e kuqezinjve tanë gjatë Euro 2024, por edhe në kualifikueset e Evropianit, por nëse u rikthehemi precedentëve të mëparshëm ndaj Ukrainës, për ekipin tonë përfaqësues fitorja ka qenë një “tabu”.

6 janë ndeshjet e zhvilluara mes dy skuadrave.4 sfida të vlefshme për kualifikueset e kupave të botës dhe dy takime miqësore. Shqipëria do të luaj në Pragë këtë të shtunë për të gjetur fitoren e parë ndaj ukrainasve, teksa regjistron plotë 5 humbje dhe vetëm një barazim 2-2, në vitin 2005, në fushatën kualifikuese për Botërorin e Gjermanisë 2006.

Sfida e fundit e zhvilluar mes dy kombëtareve, ka qenë miqësorja e 2018, ku Ukraina fitoi thellë ndaj kuqezinjve tanë me rezultatin 4-1.

13 gola kanë shënuar ukrainasit në portën tonë, ndërkohë kuqezinjtë ia kanë dalë të gjejnë rrugën e rrjetës vetëm 4 herë. Kjo tregon se për “djemtë” e Sylvinhos Ukraina është “macja e zezë”, ndaj le të shpresojmë se historia do të ndryshojë, duke nisur nga dueli i Pragës.

AlbaniaWeb.net