FOTO/ “Italia e rilindur”, mediat festojnë për “azzurrët”, ekipi i Spallettit dhuron show në “Parkun e Princave”, kapitullon Franca
Pas zhgënjimit të madh në “Euro2024”, Italia dhuroi një shfaqje fantastike në “Parkun e Princave”, mposhti me përmbysje 3-1 Francën duke i bërë një nisje fantastike aventurës se tyre në Ligën e Komeve. 23 sekonda i kishin mjaftuar Nedim Bajramit për t’i ndëshkua në Evropian, por Barcola-s i mjafton vetëm 14 sekonda për të mposhtur Donnarumma-n.
Kjo ishte shkëndija e vetme që dhuroi Franca e Deschamps, pas këtij momenti Italia mori menjëherë kontrollin e lojës, fillimisht duke goditur shtyllën me Frattesi-n, ndërsa në të 31-të, Tonali, i rikthyeri i madh në përfaqësuese, dhuroi një super assist për Dimarco-n, me anësorin e Inter që fluturimthi dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.
Italia nuk u mjaftuan me kaq, por me fillimin e pjesës së dytë, Frattesi mori një top të bukur në qendër, devijoi saktë duke kaluar Italinë në avantazh. Franca ishte e dorëzuar totalisht, me një Mbappe hije e emrit të tij.
Ekipi i Spallettit ishte brilant, ku në minutën e 73-të, Raspadori realizoi golin e tretë duke sigluar shifrat në 3-1, një sukses i rëndësishëm që i jep besim Italisë për të ardhmen, ndërsa Franca konfirmoi edhe një herë se janë shumë larg asaj që tifozët presin.
Suksesi i Italisë ndaj Francës “pushtoi” faqet e para të mediave: “Italia e rilindur”, shkruan La Gazzetta dello Sport.
()