Wed, Nov 27, 2024

‘Rozafa e re’ e Ramës po projektohet mbi tokë të kontestuar në Shkodër

  • PublishedSeptember 10, 2024

Në mesin e korrikut, kryeministri dhe kryebashkiaku i Shkodrës, u shfaqën në një konkurs privat mes 5 studiove të arkitekturës për të zgjedhur projektin e një kulle shumëkatëshe në hyrjen e zonës muzeale të Shkodrës.

Projekti i përzgjedhur u pagëzua si “Rozafa e re” nga Rama, ndërsa Beci e mburri atë si “inovativ”.

“Është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur,” deklaroi Rama nga tribuna.

Projekti i kullës në Shkodër po zhvillohet nga “Rozafa Group” dhe mbështetja e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Benet Beci pa kaluar ende hallkat zyrtare të miratimit ngre pikëpyetje për një paracaktim të mundshëm të vendimeve që pritet të merren në të ardhmen nga institucionet përgjegjëse.

Por ky nuk është problemi i vetëm.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu se trualli ku ndodhet hotel Rozafa dhe ku projektohet të ngrihet kulla shumë herë më e lartë gjendet në konflikt gjyqësor dhe pretendohet nga familja Laçej, dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Pretenduesit janë njohur si pronarë të shpronësuar të pjesëve të truallit në zonë dhe janë në procese gjyqësore prej tre dekadash me një grup ish-të përndjekurish politikë, të cilët e përfituan hotel Rozafën përmes një vendimi qeverie në mesin e viteve ’90 dhe ia shitën atë më vonë biznesmenit të Rozafa Group, .

“Ky është një provokim i rëndë që i bëhet jo vetëm pronarëve të truallit, por edhe i bëhet karshillëk gjithë popullit të Shkodrës me një ndërtim pa vlerë, duke vjedhur tokën e qytetarëve të ndershëm,” u ankua , 65 vjeç, një prej anëtarëve të familjes pretenduese, duke iu referuar projektit të kullës.

Përveç shqetësimeve mbi pronësinë, projekti i kullës kritikohet nga urbanistët, arkitektët dhe qindra qytetarë në Shkodër, të cilët thonë se kjo do të dëmtojë pjesën muzeale të qytetit.

Një peticion i nisur menjëherë pas prezantimit të projektit në korrik, ka mbledhur tashmë mbi 1 mijë firma dhe e konsideron kullën “një vepër të përbindshme që prish ekuilibrat e një arkitekture unike në të gjithë Shqipërinë”.

Biznesmeni Agustin Uldedaj i hodhi poshtë pretendimet për tokën, duke theksuar se ai e kishte blerë atë vite më parë.

“Unë ua kam blerë 42 vetë, grupi i të persekutuarve. Me tokë dhe objekt, kam 15 vite jam certifikuar nga kadastra,” tha ai.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci refuzoi të komentonte mbi konfliktin e pronësisë, duke pretenduar se nisma për ndërtimin e kullës nuk ishte formalizuar. I pyetur mbi praninë e tij dhe të kryeministrit në një prezantim privat, Beci e konsideroi atë “si pjesmarrje për të dhënë këshilla”. Kryeministria nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e shkrimit.

Saga e pronës

Projekti i kullës shumëkatëshe në qendër të Shkodrës.

Hotel “Turizmi”, i njohur sot si “Rozafa”, u ndërtua në qytetin e Shkodrës në fillim të viteve ’70. Hoteli 8-katësh është i pozicionuar në një kryqëzim strategjik të qytetit dhe ndodhet pranë lagjes muzeale të tij.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, hoteli iu dha një grupi prej 40 ish-të përndjekurish politikë përmes një vendimi kontrovers të qeverisë së kohës. Vendimi i qeverisë për transferimin e hotelit u rrëzua nga një muaj më pas, por pavarësisht vendimit, hoteli u privatizua përfundimisht në vitin 1996.

Vjollca Laçej ishte vetëm 14 vjeç kur nisi të ndërtohej hoteli dhe siç kujton ajo, u mori fillimisht bahçen përpara shtëpisë. Kur përfundoi hoteli në vitin 1973, Laçej thotë se familja e saj u shpronësua padrejtësisht nga e gjithë shtëpia dhe oborri.

“Na kanë thënë që për 24 orë do të dilni jashtë,” kujton ajo.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1994, familja Laçej është njohur nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si pronare e një pjesë të truallit të hotelit dhe rrethinave të tij për një sipërfaqe totale prej 2075 metra katrorë.

Në vitin 1995, edhe Kisha Ortodokse u njoh pronare e 2633 metrave të tjerë në kufi, ndërsa Komiteti Mysliman u njoh pronar i 2 mijë metrave.

Prej mesit të viteve 90′, të tre pretenduesit e pronësisë së tokës janë në proces gjyqësor me 40 ish-të përndjekurit politikë, që përfituan hotelin dhe truallin përmes vendimeve të qeverisë.

Në vitet 2008-2009, Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit i dhanë të drejtë 40 të përndjekurve politikë dhe i kërkuan Drejtorisë së Administrimit Ruajtjes Shitjes se Pronës Publike të lidhë kontratë shitblerje me ta.

Pas vendimit të Apelit, prona u shit tek Uldedaj. Por në vitin 2014, Gjykata e Lartë i prishi vendimet që kishin transferuar pronën te grupi i të persekutuarve, duke i gjetur ato në mosrespektim të ligjit.

“Për me tepër, lëshimi i këtyre autorizimeve dhe lidhja e kontratave përkatëse për objektin dhe truallin (gjithashtu absolutisht te pavlefshme) përbëjnë një sfide të hapur që organet e administrimit të pronës publike i kanë bërë organeve te drejtësisë (vendimeve gjyqësore), Gjykatës Kushtetuese, ligjit dhe dispozitave Kushtetuese,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë të prillit 2014.

Gjykata e Lartë thotë se vendimi i Kushtetueses tregonte se shteti nuk kishte shprehur vullnet për shitjen e pronës. Vendimi i Gjykatës së Lartë duhej t’i kthente veprimet e kryera në vitin 1995 dhe t’u jepte të drejtë të shpronësuarve për të gëzuar pronën apo blerë objektin mbi të.  Por Vjollca Laçej i tha BIRN se familja e saj, Komuniteti Mysliman dhe Kisha Ortodokse, kanë vite që presin zbatimin e vendimit të gjykatës.

“Qeveria e asaj kohe na diskriminoi duke i dhënë pronën tonë 40 të përndjekurve politikë. Ne fituam në të gjitha nivelet e gjykatave, por asnjë qeveri nuk ka ekzekutuar vendimet e gjykatave”, thotë Laçej.

Myftiu i Shkodrës, Imam i tha BIRN se zyrtarët publikë duhej të mendonin për qendra që u zgjidhin hallet njerëzve, në vend të vëmendjes për ndërtimin e kullave në Tiranë apo në Shkodër.

Sytari shtoi gjithashtu se do të ishte mirë që këto projekte të mos bëheshin në pronat e komuniteteve fetare.

“Gëzohemi më shumë kur dëgjojmë që ndërtimet do të bëhen në pronat që nuk prekin pronën e shenjtë të komuniteteve fetare, aq më tepër kur nuk janë pyetur dhe nuk janë konsultuar,” tha ai.

Projekti pritet me protestë

Lagja Gjuhadol në Shkodër | Foto : Emi Kalaja

Veç konfliktit për pronën, planet për ndërtimin e një kulle në një zonë me ndërtesa të ulëta tradicionale, hasi në kundërshtimin e qindra qytetarëve. Pas një proteste në rrugët e qytetit, mbi 1 mijë persona nënshkruan një peticion që kërkon ndalimin e projektit, i cili sipas tyre mbiu nga hiçi dhe nuk është konsultuar me komunitetin.

, planifikuese urbane, thotë për BIRN se për të dhënë një analizë profesionale nevojitet të kesh në dorë projektin, që në fakt nuk e gjen gjëkundi. Sipas saj, e vetmja referencë janë disa rendera të rastësishëm që qarkullojnë në faqet e mediave dhe portaleve.

“Referuar këtyre imazheve me sa kuptoj, hotel Rozafa do të qëndrojë, por do të ketë shëmbëlltyrën e vet ngjitur, me të njëjtin emër,” tha ajo.

Shkreli thotë se kulla është një plan ad-hoc i pamenduar dhe ndërtime të tilla kaq të larta janë të pajustifikuara sipas saj, duke dëmtuar qendrat historike të qyteteve të Shqipërisë.

Ajo kujtoi gjithashtu se qyteti i Shkodrës ka një Plan të Përgjithshëm Vendor të miratuar më 2017, por që sipas saj nuk është marrë parasysh në projekt.

“Nuk mendoj që ky projekt e ndihmon qytetin, përkundrazi ai e shpërfytyron atë. Na shesin hijerëndësinë e ndërtimit pa program e pa identitet të vërtetë, sepse janë të paaftë për të hartuar një strategji zhvillimi,” tha Shkreli për BIRN.

“Vendos veto Këshilli i Ministrave dhe kryeministri, sikur të ishte pronari i vetëm i këtij vendi dhe zeron çdo kompetencë të bashkive,” shtoi ajo.

Edhe arkitektja paralajmëron se ndërtimi i kullës afër zonës së mbrojtur të qendrës historike të Shkodrës do të ndjekë një model të ngjashëm me atë të Tiranës, ku trashëgimia kulturore është sakrifikuar për zhvillim dhe modernizim. Ajo shpreh shqetësim për efektin domino që ky projekt mund të ketë në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit dhe rrezikun për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore shkodrane.

“Ky projekt dhe ndërtimi i tij ka një ndikim të madh dhe të mundshëm në qytet dhe i bën dëm trashëgimisë kulturore të Shkodrës, dhe është një vazhdim i modeleve të ndërtimit që janë ndjekur edhe në qytetet e tjera ku ka ndodhur një shkatërrim i trashëgimisë kulturore për të ndërtuar kulla moderne dhe gradacela,” thotë Musai.

Biznesmeni Agustin Uldedaj në një reagim publik pas protestës i cilësoi kritikat si sulme ndaj biznesit dhe projektit, ndërsa pretendoi se ky i fundit do të sillte përfitime të mëdha për Shkodrën.

“Investimi privat i Rozafa Group, në pronën tonë, nuk mund të përdoret si argument për të realizuar sulmet politike të ditës ndaj kundërshtarëve,” shkroi ai në një reagim publik.

Edhe Bashkia e Shkodrës i shmang komentet, duke theksuar se nuk ka ende një aplikim për leje ndërtimi.

“Deri tani Bashkia Shkodër nuk ka marrë aplikim për leje ndërtimi për projektin në fjalë. Në momentin që do të ketë një aplikim të tillë, ai do të shqyrtohet sipas kritereve ligjore në fuqi, përfshirë edhe çështjet që keni ngritur në pyetjet tuaja,” i tha BIRN kryebashkiaku Benet Beci.

Gjithsesi, ekspertët thonë se kulla shumëkatëshe do të impaktojë të gjithë qytetin, ndaj duhej të kishte një proces të konsultimit publik.

“Pretendimi që ky projekt është një investim privat nuk ka lidhje me procesin e konsultimit publik që duhet të zhvillojë bashkia, sepse rëndësia e kësaj godine me këtë lartësi impakton të gjithë qytetin,” thotë , ekspert i planifikimit urban.

“Ndërtimi i kësaj kulle do të shënonte fillimin e fundit të qendrës historike të qytetit,” përfundoi ai.