Superiore/ Egnatia, kërkohet rikthimi te fitorja në Shkodër
E mërkura e gjen Egnatian në fushën e Vllaznisë, në ndeshjen e javës së katërt të kampionatit. Është një nga sfidat më të rëndësishme të javës, bashkë me derbin, ndaj dhe vlerësimi në kampin rrogozhinas është maksimal.
Kampionët në fuqi vijnë pas barazimit me Tiranën në Durrës dhe objektivi është rikthimi te fitorja, edhe pse kundërshtari është i fortë dhe luan para tifozëve të vet. Trajneri Edlir Tetova, për të mbajtur skuadrën në tonus, zhvilloi edhe një miqësoren fundjavën që shkoi kundër Apolonisë. Ai ka parë më mirë gjendjen e disa lojtarëve që kanë ardhur së fundi në skuadër, apo atyre që kanë pasur më pak minuta për shkaqe të ndryshme.
Në stadiumin “Loro Boriçi” pritet që Egnatia të tregojë diçka më shumë në nivelin e lojës se sa ka bërë në tri javët e para, ku ka marrë 7 pikë që e mbajnë atë në vend të parë.
SHQETËSIMET – Për ndeshjen me Vllazninë nuk mund të llogaritet ende sulmuesi Bakajoko, i cili është afër rikuperimit të plotë, por stafi teknik nuk do që të nxitohet. Edhe në Shkodër ai nuk do të jetë në fushë. Problem tjetër për trajnerin Tetova para sfidës me Vllazninë është edhe sulmuesi tjetër, Redi Kasa, i cili ka shqetësime fizike, por jo serioze.
Portieri i dytë Kuka po ashtu ka një problem fizik. Gjithsesi, rrogozhinasit e kanë skuadrën të kompletuar dhe trajneri durrsak ka alternativa për çdo rast dhe në çdo pozicion. Ai ka edhe një seancë të fundit për të vendosur se cilët do të jenë lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë të mërkurën më mbrëmje.
Kampionët synojnë të krijojnë gradualisht shkëputjen nga rivalët, ashtu si sezonin e kaluar, por edhe të kenë në gjendje optimale të të gjithë lojtarëve që kanë në organikë. Pavarësisht ndryshimeve që rrogozhinasit bëjnë herë pas herë në çdo sesion të merkatos, qëllimi i klubit është që skuadra të qëndrojë në nivele të larta dhe të rritet sa më shumë për të fituar trofe.