Fri, Nov 29, 2024

Uli në stol “gjelat” e famshëm, Deschamps rikthen Francën te fitorja, por tifozët nuk i ndalën vërshëllimat: Nuk kanë asnjë efekt, Mbappe?

  • PublishedSeptember 10, 2024

Francë-Belgjikë ishte një përballje mes dy përfaqësueseve në krizë identiteti, mbi të gjitha “djajtë e kuq” që tranzicioni në përfaqësuese nuk po realizohet lehtë. Në një moment shumë të vështirë ndodhej edhe Franca ku kritikat ndaj Deschamps sa vijë e shtohen, duke detyruar këtë të fundit të bënte një ndryshim rrënjësor në formacion teksa la në stol lojtarë si Theo Hernandez, Griezmann dhe Mbappe.

Në shtëpinë e tyre, “gjelat” ishin dukshëm më kërkues dhe pas disa tentative arritën të gjenin golin e avantazhit me Kolo Muani. Me fillimin e pjesës së dytë, Dembele me një aksion personal realizoi një super gol duke dyfishuar shifrat. Deschamps hodhi në fushë edhe Mbappe, me sulmuesin e Real Madrid që kërkoi golin në çdo formë, por pa sukses duke bërë që rezultati të mbetej i pa ndryshuar.

Pavarësisht suksesit 2-0, tifozët nuk i kursyen vërshëllimat ndaj ekipit, por ky detaj u driblua nga Deschsmps në konferencë për shtyp: “Nuk i dëgjova, gjithsesi, kritikat janë pjesë e lojës. Personalisht, tek unë nuk kanë asnjë efekt, por ata janë tifozë të përfaqësueses franceze, nëse vërshëllejnë do të thotë që nuk janë të lumtur, kjo është e drejta tyre, por nuk besoj se kjo është në të mirë të skuadrës”, u shpreh Deschamps duke bërë në fund edhe një koment për Mbappe:

“Kylian është mirë, sigurisht, si të gjithë lojtarët nuk është ende në 100%. Me ne ai merr përsipër të gjithë rolin e tij si kapiten, nuk kam asnjë shqetësim me Mbappe”, theksoi Deschamps.

()

AlbaniaWeb.net