Wed, Nov 20, 2024

“Humbje e merituar, trajneri duhet të kishte ndërhyrë”/ Analiza e Ervin Fakajt në “DigitAlb”: Hoxha u sforcua, duhej të…

  • PublishedSeptember 11, 2024

Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj është shprehur se disfata e Shqipërisë me Gjeorgjinë në “Arenën Kombëtare” ishte më se e merituar.

Në analizën e bërë në “DigitAlb”, ai gjithashtu ndalet te paraqitja e lojtarëve, duke thënë se Sylvinho e la Manajn të vuante, ndërsa Hoxha nuk e zgjidhi si duhej ndeshjen e tij të parë si titullar.

“Padyshim një humbje e merituar, sot u pa qartë që fitoi ekipi më i mirë i strukturuar, ekipi me më shumë cilësi, të paktën sot. Ekipi më i qartë në çdo aspekt nga minuta e parë në të fundit. Ajo që vuajtëm më shumë ishte lodhja fizike, u pa ndryshe nga tre ditë më parë.

Ne e vuajtëm shumë këtë 90-minutësh sidomos në anën fizike, nuk arritëm në asnjë moment t’i kalonim, të ishim të qartë në asnjë lloj aspekti, si në mbrojtje e sulm. Mendoj se edhe trajneri ndoshta mund të kishte ndërhyrë me ndonjë zëvendësim përpara se gjendja e shumë lojtarëve ishte nën nivelin e duhur.

Ndryshe nga Ukraina, Manaj ishte hija e vetes së vet. Me Ukrainën ishte njeriu i ndeshjes, sot trajneri e la më shumë se duhet në fushë. E la të vuante me gjendjen fizike, të jepte më tepër se sa duhej, e pamundur kur luan i vetëm në sulm.

Hoxha është lojtar që ka bërë shumë mirë, ka sjellë ndryshim ritmi, ka sjellë shumë gjëra pozitive kur është futur. Ajo që unë kisha frikë, për fat të keq ndodhi. Kjo ishte e para si titullar dhe sipas meje e zgjidhi keq sepse kërkoi të bënte gjëra me sforco.

Duhej të kishte më shumë durim se nuk kishte shumë kontakt me topin dhe sa binte kërkonte të bënte gjëra të pamundura. Futej në driblim dhe të gjitha i humbiste. Mendoj se nuk është që ai nuk ka cilësitë e nuk mund të luajë, por zgjedhja ishte e gabuar, duhej të ishte më i qetë”, u shpreh Fakaj për “DigitAlb”.



AlbaniaWeb.net