Thu, Nov 28, 2024

Analiza/ Altin Dumani ka fituar betejën, por luftën e ka përpara!

  • PublishedSeptember 13, 2024

SPAK-u i Altin Dumanit ka fituar përfundimisht betejën e parë serioze publike. Kultura e pandëshkueshmërisë dhe paprekshmëria e personazheve të profilit të lartë politik, tashmë është një përrallë e bukur e së shkuarës. Përfituesit e djeshëm të përrallës, sot janë të gjithë në makthin e të qenurit në radhë. Me dhënien e statusit të të pandehurit për Sali Berishën, stekës më të lartë në grupin e më të fuqishmëve të tranzicionit, askush tjetër nuk është më imun nga trokitja në derë dhe fletëthirrja për t’u përgjigjur përpara drejtësisë. Për mëkate të reja dhe ato që nuk i ka varrosur ende parashkrimi. Beteja kundër pandëshkueshmërisë, që deri dje nuk e besonin edhe më optimistët dhe skeptikët ndaj sistemit të ri të drejtësisë, sot është realitet dhe mban kryesisht portretin e ashpër të Berishës si simbol. Dhe kur Berisha mbeti në ingranazhet e sistemit, të tjerët janë vetëm push që mund të depilohen lehtësisht edhe në klinika lagjeje. Ish-presidenti i tërëfuqishëm dhe arrogant, idhulli i palëvizshëm dhe i pazëvendësushëm i rreth gjysmës së shqiptarëve për tre dekada e kusur, tashmë ka një bast vetjak për të fituar. Ai është zyrtarisht nën dyshimin se ka konsumuar korrupsion.

Pothuaj një vit mbas marrjes nën hetim, SPAK-u mundi më në fund të firmosë një akuzë për profilin më të lartë të politikanit shqiptar. Por kjo është vetëm një betejë. Lufta finale e SPAK-ut – duke nënkuptuar me këtë akronim, gjithë sistemin e drejtësisë – është dhënia e drejtësisë. Pra verifikimi i dyshimeve mbi të pandehurin përtej çdo dileme të mundshme. Me një procedurë të paqortueshme. Të hapur e transparente. Të lirë e të ndershme. Dhe kjo varet si nga aftësia për të mbrojtur akuzën në gjykatë, ashtu dhe nga detyrimi për të bindur publikun, përtej çdo dyshimi, për fajësinë e të pandehurit Berisha. Basti është i hapur dhe zhurma e emocionet që shoqërojnë gjithë procesin, natyrisht nuk e lenë atë të zhvillohet në kushte laboratorike, aq më shumë kur bëhet fjalë për Sali Berishën. Sido që të vejë puna, çfarë do lloj ndeshjeje të bëjnë palët në proces, prokurorë e avokatë, cilido qoftë vendimi i gjykatësit si arbitër, publiku do të ndahet në tre pjesë: të majtët do të besojnë se ferri duhet të ketë një rreth të veçantë dhe privat vetëm për Berishën, të djathtët do ta konsiderojnë atë hero dhe viktimë të Ramës dhe amerikanëve që kontrollojnë sistemin dhe Indiferentët që herë do t’i buzëqeshin karmës që nuk harron, e herë do të jenë tërësisht indiferentë ndaj këtij akti.

Procesi për zotin Beisha ka dy komponentë të pandashëm, politik dhe juridik. Përplasja e të dyve, mjetet që secili nga këto komponentë vë në dispozicion për të kuptuar se çfarë po ndodh, krijojnë keqkuptime pafund për procesin dhe hedhin dyshime edhe mbi të.

Duke nisur nga komponenti i parë. SPAK-u kërkoi në dimrin e shkuar bllokimin e pasaportës për zotin Berisha dhe detyrimin e tij për t’u paraqitur në organin e akuzës. Berisha e refuzoi një gjë të tillë dhe u vu në kurs përplasjeje me sistemin, ndoshta i bindur se SPAK-u do të tërhiqej nga kjo kërkesë. Nuk ndodhi kështu dhe kjo krijoi aktin e paprecedentë, të pamenduar kurrë më parë, të mbylljes së njeriut më të fuqishëm të tranzicionit, në arrest shtëpie. Edhe pse dikur vetëm hamendësimi se mund të ndodhte një gjë e tillë, krijonte idenë se do të përmbysej bota, mbyllja e tij në shtëpi as përmbysi botën, as dogji Shqipërinë dhe as ndryshoi rendin e stinëve që ndoqën njëra-tjetrën për më shumë se 250 ditë, deri në ditën kur ai u morr zyrtarisht i pandehur. E vetmja viktimë e kësaj marrëzie ishte vetë Berisha, që i ngujuar në shtëpi, si dikur ata që i rruheshin gjakmarrjes, bën betejën e tij herë epike për një palë dhe herë qesharake për palën tjetër.

Nga ana tjetër, fiks në këtë ditë, vlen të shihet komponenti juridik. A do të kishte qenë më e udhës që gjithë ky hark kohor, që nga marrja si person në hetim e deri në shndërrimin e tij në të pandehur, të ishte konsumuar në liri për Berishën? Që të mos kishte pasur asnjë masë për të që në fillim të herës? Që të mos krijohej gjithë ky reaksion zinxhir dhe ky tension politik në vend? Që të mos krijohej një dëm i pakthyeshëm në mospërmbushjen e detyrës së tij si deputet dhe kryetar i opozitës? Dhe mbi të gjitha, a mund të emanciponte liria e tij, qasjen ende dramatike që publiku i gjerë ka për raportin e lirive dhe të drejtave të individit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë? Sepse nëse Berisha do të hetohej në liri, do të dekurajohej e gjithë ajo armatë prokurorësh e gjykatësish që firmosin lehtësisht arrest me burg për dy cigare hashash e teshtima në vende publike, duke krijuar njëkohësisht, në rastin me të keq, një grup vulnerabël qytetarësh që paguajnë për ta ose në rastin më të mirë, një zinxhir të pabesueshëm dramash vetjake, familjare e sociale për të njëjtin grup njërëzish e shumë më gjerë.

A mund të kishte ndodhur edhe ndryshe? Që të mërkurën në mesditë, bashkë me njoftimin e akuzës, prokurorët e SPAK-ut të bënin dhe kërkesën për masën e sigurisë për Berishën? Logjika, por sidomos kodi i procedurës penale thotë po. Sali Berisha nuk kishte më mundësi as të arratisej, as të dëmtonte provat, as të kryente një vepër po aq të rëndë sa ajo që dyshohet dhe as nuk mund të intimidonte dëshmitarët. Ky është momenti i vetëm ku mund të sulmohet e nesërmja e këtij procesi: procedura. Pjesa tjetër, është thjesht një betejë e fituar nga SPAK-u kundër pandëshkueshmërisë, por një shans më pak për të fituar luftën finale për të dhënë drejtësi.

Ka dhe një detaj tjetër që më shumë thellon dhe turbullon sesa saktëson të vërtetën publike dhe perceptimin e publikut për procesin. Shumë e dinë, por pak e thonë që në bastin e Berishës me drejtësinë, SPAK-u nga njëra anë dhe Berisha nga ana tjetër, janë dy palë të barabarta në proces. Gjyqtari është arbitri që vendos mbi ta. Por për arsye të kuptueshme, opinioni sulmohet vetëm nga njëra prej palëve. Avokati i tij i palodhur ligjor, dëshmon disa herë në ditë dhe ekran më ekran të vërtetën e tij, e po kështu edhe mbështetës të tjerë politikë dhe mediatikë të ish-kryeministrit. Pala tjetër, prokurorët, siç është e udhës të ndodhë, heshtin. Ata kanë folur me veprimet e tyre në dosjen hetimore dhe do të flasin vetëm në gjykatë. Ky disbalancim në publik, kjo peshore me një krah, shpesh krijon dhe një perceptim të gabuar, që shtuar këtu dhe me arrestin shtëpiak të Berishës që e vendos atë në pozitën e viktimës, hedh dyshime mbi atë çfarë po ndodh.

Në fakt, gjithçka është më e thjeshtë sesa e lexojnë pasionet e gjithë palëve të përfshira në këtë histori drithëruese. Dosja hetimore e mallkuar nga një palë dhe e mbajtur në heshtje nga pala tjetër, kujton një frazë të disa viteve më parë: “…përdorimin e pushteti për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe antarët e familjes së tij duke shpërdoruar…!” Kështu shkruante sekretari Blinken në mandatën e sanskionimit non grata të ish-kryeministrit. Kjo është dhe akuza zyrtare e SPAK-ut.

Pjesa tjetër, sulmi i egër ndaj SPAK-ut për të defaktorizuar akuzën e tij, për t’i veshur kostum politik, për ta intimiduar e për ta bërë atë të pabesueshëm, është e njëjta seri filmi që amerikani Blinken gjithashtu e kishte paraparë: “…retorika e tij tregon se është i gatshëm që të mbrojë veten, antarët e familjes dhe aleatët në kurriz të hetimeve të pavarura…!”. Kur Berisha thotë se SPAK-u është organizatë e strukturuar kriminale, nuk thotë diçka të re. Po ecën në traditën e tij të vjetër.

E mërkura që nuk tronditi Shqipërinë, dëshmoi edhe një detaj të jashtëzakonshëm dhe një hall të përbashkët që dy gjysmat e pabarabarta politike në vend, e majta dhe e djathta e kanë zgjidhur në mënyra të ndryshme. Të dyja janë të pakënaqura nga realiteti i ri dhe nga dalja në skenë e një pushteti, dikur tradicionalisht të fshehur nën sqetullën e pushtetit politik. Të dyja janë nën mëri dhe plot mllef për SPAK-un. Njëlloj si precedenti i ish-presidentit Berisha që po përgjigjet për firmat e tij në krye të mbledhjes së qeverisë, po dridhen dhe nja tre a katër zëvendëskryeministra të Ramës që kanë firmosur vendime kolektive, meqë vetë Rama si rregull ka firmosur shumë rrallë. Por në ndryshim nga njëri-tjetri, tek këto dy gjysma të pabarabarta, të majtët duartrokasin dhe puthin gati me servilizëm dorën që nuk kafshojnë dot, të djathtët kërkojnë ta presin me kafshime dorën që po ju bën xhirro mbi shpinë. Nga halli dhe jo nga malli, edhe me këtë detaj nën sqetull, politika do të vrapojë drejt zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, duke numëruar betejat që do të fitojë SPAK-u – ndëshkimin e të pandëshkueshmëve – ndërsa publiku do të presë drejtësi. Sepse drejtësia është lufta që sistemi i drejtësisë duhet të fitojë në emër të tyre.



AlbaniaWeb.net