“Nuk është dramë humbja me Gjeorgjinë”, Hamdi Salihi “skanon” Kombëtaren: Shqipëria brenda objektivave (VIDEO)
Hamdi Salihi, ish “bomberi” kuqezi, në një intervistë ekskluzive për “News24”, analizoi dy sfidat e para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Salihi bëri publike për herë të parë vendimin se pas Evropianit është tërhequr nga roli i tij si ndihmës trajner i Kombëtares. Për momentin ka marrë një pauzë pasi jeton larg, në SHBA. Salihi la të hapur mundësin për një rikthim në të ardhmen pasi për këtë vendim ka biseduar me trajnerin Sylvinho dhe drejtuesit e FSHF-së:
-Salihi, çfarë ndodhi me Gjeorgjinë, nuk ishim ne në mbrëmjen më të mirë, apo Gjeorgjia ishte lart?
Të them të drejtën, i pashë të dyja ndeshjet, edhe ndeshjet e para të kundërshtarëve, u pa që do përballeshim me një ekip të fortë. Gjeorgjia ka rritur shumë cilësinë në sulm. Isha i përgatitur që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë.
-Brenda 3 ditësh pamë dy përfaqësuese totalisht të ndryshme, ndaj Ukrainës zhvilluam një super sfidë, ndërsa ndaj Gjeorgjisë dukej një ekip tjetër. Ishim aq të bindur që nuk humbisnim sa Agustin Kola shprehej me siguri: edhe Brazili të vijë nuk na mund dot më tha….
Nuk është ashtu, ne gjithmonë kemi diskutuar që duhet të rritemi dhe të përmirësohemi, por pa harruar se kush jemi. Ne jemi Shqipëria, nuk kemi 50 lojtarë të nivelit të lartë. Ndeshja ndaj Gjeorgjisë ishte shumë më mirë taktikisht se ndaj Ukrainës. Gjithë ekipi ishte i rreshtuar shumë mirë. U çekuilibruam duke kërkuar golin me ngulm.
-A ishte Gjeorgjia një test maturie, një ndeshje që nuk duhej humbur?
Ndeshjet më të vështira të Shqipërisë janë ato që duhen fituar medoemos. Ndaj Gjeorgjisë ekipi i kishte dhënë rëndësinë si duhet, ne luajtëm mirë deri në fund.
-A e prisnit realisht një Gjeorgji kaq të fortë, një skuadër që udhëheq Grupin me 6 pikë pas 2 ndeshjeve?
Unë e thashë që përveç evropianit, Gjeorgjisë ia kam parë ndeshjet. Kur hidhet shorti, ekipet rreshtohen sipas renditjes. Në bazë të asaj, Gjeorgjia dhe Shqipëria janë më poshtë. Në fushë, ekipet vlerësohen për atë që janë. Edhe Gjeorgjia ka një tifozëri zjarr, janë rritur shumë. Të njëjtën gjë prisnin edhe pjesa e stafit.
-A do kishte firmosur në fillim për 3 pikë në 2 ndeshjet e para, pasi fillimisht nuk prisnim të fitonim ndaj Ukrainës në trasfertë, ashtu siç nuk prisnin që të humbisnim ndaj Gjeorgjisë…
3 pikë në 2 ndeshje qëndrojnë, nuk është ndonjë dramë. Quhet objektiv i realizuar. Jemi ngjitur një nivel më lart dhe luajmë ndaj kundërshtarëve të fortë. Dëshpërimi është se morëm 3 pikë te ndeshja e parë dhe menduam se do fitojmë sërish.
-Që nga dita kur Sylvinho ka zbarkuar në Shqipëri, kjo ishte humbja e parë në shtëpi, të vjen keq Salihi, të vjen keq që kjo humbje erdhi pikërisht tani, pas një Evropiani ku fituam shumë eksperiencë dhe pas një fitore në transfertë ndaj Ukrainës….
Të gjithë duan të zgjasin sa më shumë atë ndjenjën e pathyeshmërisë. Më vjen mirë, u luajt në mënyrën e duhur, nuk pati nënvlerësim nga ne.
-Një nga statistikat me negative që prodhoi ky takim ishte fakti që nuk goditëm asnjë herë kuadratin, nuk kishte ndodhur kurrë më parë me Sylvinho-n në stol, pse Salihi?
Të dyja ekipet po bënin lojë të kujdesshme. Deri në rastin e golit, loja ishte e njëjta, as Gjeorgjia nuk pati raste dhe gjuajtje ndaj nesh. Ne patëm fantazi, edhe pse nuk gjuajtëm në portë. Patëm edhe aksione të rrjedhshme.
-Rey Manaj, Asani, Arbër Hoxha, ishte hera e parë mos gaboj që Sylvinho provoi këtë tredhëmbësh ofensivë nga minuta e parë, por na u zbeh shumë edhe Bajrami, çfarë nuk shkoi me repartin ofensivë këtë herë?
Hoxha e ka fituar vendin e vet, ai është bërë lojtar i rëndësishëm. Më tepër, është meritë e kundërshtarit. Të thashë që kemi një ekip që e vuan pak faktin që luan shpesh, pra 2 ndeshje në 3 ditë. Edhe Asani, më bëhet qefi për të, që ka filluar të luajë shumë.
-Mua personalisht, por dhe një pjesë të tifozëve kjo ndeshje më ngjasoi me ndeshjen dyshe kundër Hungarisë në kualifikueset e Botërorit, një ndeshje “shahu” e zgjidhur nga individët, ju mungoi Broja Salihi?
E kemi thënë gjithmonë që cilësitë e Brojës janë të jashtëzakonshme. Ai është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Gjithashtu, e domosdoshme është edhe prezenca e Gjimshitit. Gjithësicili, do kishte rolin e vet në këto ndeshje.
-Jo vetëm Broja, mungoi Daku, Cikalleshi i tërhequr, Uzuni që nuk është zgjedhje e parë, a kanë ndryshuar balancat në sulm tani?
Trajneri Sylvinho ka bërë një miks të mirë. Ai zgjedh lojtarët që mendon se janë të duhurit. Kemi fatin edhe kur janë gjithë këta lojtarë të dëmtuar, kemi mundësi me zgjedh.
-Jam shumë kurioz Salihi për vëllezërit Shpendi, a janë në fokusin e Sylvinjo-s, ose ndonjë lojtar tjetër ka shumë talente në Evropë, presim ndonjë afrim të ri, apo jeni të përqendruar te Brajan Gruda?
Dy vëllezërit Shpendi kanë vëmendjen e trajnerit. Në Federatë, nuk punon vetëm trajneri, por edhe teknikët e moshave. Gjithë këto njerëz janë në kontakt me drejtorin e përgjithshëm. Ka shkëmbim informacioni dhe që mundet me përfunduar te ekipi i parë. Edhe te moshat më poshtë, ka vëzhgim dhe informacione për lojtarë.
-Në sulm u ndjenë shumë mungesat, por diskutimi ishte ndryshe në mbrojtje, Ismajli-Kumbulla bënë që të harrohej Gjimshiti, kapiteni, si e pe këtë dyshe Salihi, është kjo dyshja e së ardhmes?
Ismajli është lojtar i provuar, e ka treguar veten gjithë kohës. Pavarësisht se në Europian, ishte zgjedhje me luajt me dikë tjetër. Më erdhi mirë për Kumbullën, që ka bërë ndeshje të mira me Espanyol. Prezenca e Gjimshitit në fushë është e nevojshme, janë disa lojtarë që krijojnë impaktin e duhur në fushë.
-Pati shumë reagime edhe për lojën e Kristjan Asllanit, jeni i kënaqur me atë që dha në këto dy takime?
Asllani është rritur shumë, në të dyja takimet ka bërë lojë të mirë, ka shkelur në çdo cep të fushës. Duket si një motor që nuk ndalet. Ai shkel kudo, është e kotë të flasim për të.
-A e ndryshon tani objektivi, ose më saktë, a e ndërlikohet objektivi për të fituar këtë grup?
Ne vazhdojmë të jemi në lojë, 3 pikë në 2 ndeshje janë mëse të mjaftueshme, ky është një objektiv i pranueshëm. Kombëtarja jonë ka një të mirë që ka treguar se ndeshjet i merr me radhë. Niveli është rritur, përqendrimi është rritur, besimi pas ndeshjes me Ukrainën është rritur. Nuk e kam aspak problem që dy ndeshjet e tetorit do të luhet jashtë. Mund të ndodhë çdo gjë në këto dy ndeshje, mund të dalësh me 0 ose 6 pikë kollaj fare
-Në fund dua dhe një koment të shkurtër për Vllazninë tënde, është e pashmangshme, nuk quhet e plotë intervista pa një pyetje për Shkodrën. Si i ke parë këtë sezon, do e thyejnë mallkimin?
Bënë një lojë të mirë ndaj Egnatias, ishin të vendosur mirë ndaj një ekipi që ka bërë mirë në 2 vitet e fundit. Janë një grup i mirë, por shpresojë që të kenë atë që i ka munguar gjithmonë, pasi edhe vitet e fundit kanë bërë ndeshje shumë të mira, mbi të gjitha me ekipet e mëdha, por shpresoj që të gjejnë stabilitetin e duhur, të jenë më të qëndrueshëm në rezultate. Me këtë formulë që aplikohet, është shumë e arritshme, mjafton të kapësh katërshen e parë, një objektiv që Vllaznia nuk duhet ta diskutojë, më pas janë vetëm dy ndeshje për titullin. Është shumë e arritshme, por nuk është e lehtë.
()