Fri, Nov 22, 2024

BE analizon reformat! Von der Leyen mbledh liderët e Ballkanit, gati fondi 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni

  • PublishedSeptember 15, 2024

Pas rizgjedhjes në krye të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkon të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Për këtë qëllim ajo do të mbledhë më 19 shtator në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të bëhet një analizë e reformave, për të shpërndarë pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Bashkimi Europian në maj të këtij viti.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të ballkanit perendimor.

Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të prodhimit të brendshëm bruto, numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

Presidentja Ursula von der Leyen ka deklaruar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë dhe për këtë arsye do të emërojë një komisioner të dedikuar për zgjerimin. Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisioner vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të Jose Manuel Barrosos, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Atëkohë, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn. Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisioneri për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën  e fqinjësisë së Bashkimit Europian.

 

 

 



AlbaniaWeb.net