Sun, Nov 17, 2024

Ligue 1/ PSG me ritëm kampioni, tjetër fitore e skuadrës së Luis Enrique, deçiziv dygolëshi i Dembele

  • PublishedSeptember 15, 2024

Është një skuadër perfekte. Ndoshta shumëkush nuk e priste një nisje kaq perfekte të sezonit, sidomos pas shitjes së “yllit” Kylian Mbappe. Po flasim pikërisht për kampionët francezë të PSG. Skuadra e teknikut spanjoll Luis Enrique merr fitoren e 4 në po kaq javë, duke vijuar të kryesojë e vetme kampionatin në Francë.

“Viktima” e rradhës ishte skuadra e Brest, megjithëse duhet thënë se për parizienët sfida këtë herë nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Kjo pasi goli i miqve në minutën e 29-të komplikoi disi sfidën për kampionët, të cilët megjithatë gjetën golin e barazpeshës 3 minuta nga fundi i pjesës së parë me Dembele.

Në pjesën e dytë vendasit shtuan presionin në portën kundërshtare duke krijuar shumë volum loje dhe raste shënimi, me mbrojtjes e Brest që bëri të pamundurën për të mbrojtur shifrat e barazimit.

Megjithatë PSG diti të zhbllokonte situatën, ku në 2 minuta arriti të realizonte dy herë  me Fabian Ruiz dhe Dembele, për të fiksuar shifrat përfundimtare në 3-1.

Me këtë fitore PSG ruan avantazhin në krye me 2 pikë ndaj dy ndjekësve më të afërt Marsei dhe Monaco, të cilat fituan ndeshjet e tyre në këtë javë respektivisht ndaj Nicë dhe Auxerre.

AlbaniaWeb.net