Sat, Nov 23, 2024

Gittens “zgjidh” ndeshjen për Dortmund, pa gola rikthimi në Champions për Bolognën, gola dhe spektakël në Celtik Park

  • PublishedSeptember 19, 2024

Borussia Dortmund e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri të Uefa Champions League. Verdhezinjtë e teknikut Nuri Sahin fituan në transfertën belge ndaj Club Brugge me rezultatin e pastër 0-3. Të treja golat u realizuan në fraksonin e dytë të ndeshjes, teksa protagonisti absolut ishte Gittens me një dy golësh.

Pjesa e parë ishte më e balancuar teksa Brugge pati madje edhe shanse të mira për të kaluar në avantazh. Megjithatë Borussia Dortmund e zgjidhi vetëm në 15 minutat e fundit sfidën me dy golat e anglezit Jamie Gittens ndërkohë që golin e 0-3 e realizoi me penallti Guirrasy në kohën shtesë.

Rikthimi i Bolognës në Champions League nuk rezultoi plotësisht i suksesshëm, pasi në fushën plot ujë të Dall’Ara-s si pasojë e reshjeve të rrëmbyera të shiut, italianët nuk shkuan më shumë se sa barazimi 0-0 ndaj kampionëve të Ukrainës Shakhtar Donjetsk. Bologna ishte dominues në lojë përgjatë gjithë 90 minutëshit, duke sfumuar shumë raste për të zhbllokuar rezultatin. Megjithatë duhet theksuar se mundësinë më të mirë të ndeshjes e patën miqtë, që në nisje të garës, teksa humbën një 11 metërsh me anë të Sudakov, me portrierin Skorupski që kuptoi mjaft mirë goditjen e lojtarit mik.

Ndërkohë gola dhe spektakël dhuroi edhe sfida e zhvilluar në Celtic Park mes Celtic dhe Slovan Bratislavës. Për vendasit skocezë kjo sfidë rezultoi shumë më e lehtë se sa pritej, teksa arritën të fitonin me rezultatin e thellë 5-1 ndaj kampionëve sllovakë, teksa të 5 golat u realizuan nga autorë të ndryshëm.

AlbaniaWeb.net