Prokuroria e Tiranës nis hetime për falsifikimin e diplomave të Wisdom
Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten më 19 shtator regjistrimin e një procedimi për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, bazuar në një kallëzim të kryer nga Savino Cianci, administratori i shoqërisë Wisdom, sh.p.k., i njohur ndryshe si Kolegji Universitar Italian i Tiranës. Megjithatë, në njoftimin e shkurtër të prokurorisë, thuhet se çështja është në fazën e hetimeve paraprake dhe se nuk mund të jepet informacion më i detajuar në lidhje me veprimet hetimore, për shkak të sekretit hetimor.
Mediet italiane raportuan të hënën arrestimin e Ciancit dhe të tetë personave të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në një rrjet personash që mundësonin lëshimin e diplomave dhe certifikatave false në zonat e Foxhias, Tranit dhe Kalabrisë në Itali, si dhe në Shqipëri.
Sipas medieve italiane, për të arritur qëllimin janë përdorur kompani të tjera dhe shoqata kuturore, si dhe janë marrë kuotat e një universiteti shqiptar, përmes të cilit garantohej arritja e kualifikimeve që jo gjithmonë kishin vlerë ligjore në Itali. Po ashtu, është aluduar se dy nga të hetuarit i kanë dhënë rryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare për të garantuar akreditimin e institucionit.
Ish-ministria e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mohoi çdo përgjegjësi përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se procesi i akreditimit nuk kryhej nga Ministria e Arsimit, por “nga një bord i pavarur ekspertësh”.
“Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla,” shkroi Kushi në Facebook.
Edhe kryetarja e Bordit të Akreditimit, Shqiponja Telhaj mohoi të kishte përfituar dhurata nga drejtuesit e kolegjit Wisdom. Sipas raportimeve në mediat italiane, pronari dhe administratori i shoqërisë Wisdom, në mars të vitit 2022, aludohej se i kishte dhuruar gjatë një darke një çantë Louis Vuttion me vlerë 1200 euro.
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pirë kurrë as edhe një kafe e nuk ka pranuar kurrë asnjë dhuratë nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaj apo shqiptare,” deklaroi ajo.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, MAS shpërndau një deklaratë për mediet të mërkurën duke bërë me dije se prej vitit 2022 ka nisur procesi periodik i verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë. Sipas MAS, ka nisur dhe verifikimi i pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar Wisdom.
Po ashtu, sqarohet se pas përfundimit të kontrollit, janë konstatuar shkelje ligjore gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar Wisdom për periudhën e ushtrimit të kontrollit. Ndërsa, bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, është duke u ndjekur procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të këtij institucioni jopublik.
Po ashtu, MAS nënvizon se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar Wisdom.
Burime zyrtare të prokurorisë u shprehën se hetimi i filluar është bërë bazuar në kallëzimin e administratorit të Wisdom, Savino Cianci, pasi ka qenë ky i fundit që ka kryer denoncim i pari.