“Gabim fatal”, në Spanjë “kryqëzojnë” dyshen Ter Stegen-Garcia, Flick: Jemi të fortë, do zhvillojmë një Champions të mirë
5 fitore në 5 ndeshjet e para të sezonit e kishin kthyer Barcelonën në një ekip të “frikshëm”, por “armata” e Hansi Flick bie në Champions League. Mjaftoi një gafë, një keq koordinim i portierit Ter Stegen me Eric Garcia, duke detyruar këtë të fundit të shkaktonte faull, detaj që i kushtoi drejtpërdrejtë kartonin e kuq. Si të mos mjaftonte ky episod në minutën e 11-të, 5 minuta më pas Monaco realizoi një super gol duke kaluar në avantazh.
Pavarësisht se me një lojtar më pak, Barça u rikthyer në lojë me Lamine Yamal. Talenti spanjoll me një aksion personal barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 28-të. Mungesa e një lojtari pati një impakt të rëndësishëm me kalimin e minutave, duke bërë që Monaco t’i kapte sërish “mat” në minutën e 71-të duke kaluar edhe një herë në avantazh. Hansi Flick u përpoq të ndryshonte rrjedhën e këtij takimi duke nisur një “vals” zëvendësimesh, por pa sukses, me Monaco që doli me tre pikë pas fitores 2-1.
Në Spanjë, mediat e kanë të qartë, nuk përdorin lojëra fjalësh, por ja faturuan humbjen dyshes Ter Stegen-Eric Garcia: “Gabim fat”, shkruan Mundo Deportivo në faqen e parë.
Në të njëjtën linjë ishte edhe trajneri Hansi Flick: “Ndeshja ndryshoi pas kartonit të kuq në minutën e 10-të. Pas këtij momenti ndryshoi ideja jonë, ajo që kishim planifikuar. Ne e provuam në çdo formë, u mbrojtëm me pasion, por bëmë edhe disa gabime. Nuk luajtëm në nivelin tonë maksimal, ashtu si në dëshirojmë të luajmë. Sigurisht kur të rikthehen edhe lojtarët e tjerë do të jemi më të fortë. Jemi të sigurt se mund të bëjmë një Champions League të mirë këtë sezon, mungojnë edhe 7 ndeshje të tjera për të arritur objektivin tonë”, u shpreh Hansi Flick pas ndeshjes.