Sat, Sep 21, 2024

Asambleja e Përgjithshme e OKB mbledh nesër liderët botërorë, merr pjesë edhe Rama/ Në fokus krizat dhe konfliktet aktuale në Gaza, Ukrainë dhe Sudan

  • PublishedSeptember 21, 2024

Udhëheqës nga mbarë bota, liderë të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, ndër ta edhe kryeministri Edi Rama, do të marrin pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që fillon punimet këtë të diel në Nju Jork.

Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.

Në një axhendë tepër të ngjeshur që nis të dielën me samitin e së ardhmes dhe vijon për disa ditë, është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me 6 liderët e ballkanit perëndimor.

Sipas njoftimit të komisionit europian, sesioni i OKB-së në Nju Jork do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josef Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve. “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”- është shprehur sekretari Guterres.



AlbaniaWeb.net