Sat, Sep 21, 2024

Sondazhi i fundit: Trump-Harris, mbështetje “e njëjtë” për ekonominë!

  • PublishedSeptember 21, 2024

Një sondazh i ri tregon se as Kamala Harrisi dhe as Donald Trumpi nuk kanë një epërsi vendimtare kur vjen fjala tek qëndrimi i zgjedhësve lidhur me ekonominë, që konsiderohet deri vonë në fakt, pika e fortë e ish presidentit republikan.

Anketimi i realizuar nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe qendra për Hulumtim të Çështjeve Publike ‘NORC’ 40 për qind e votuesve mendojnë se ish-Presidenti Trump do t’i trajtonte më mirë sfidat ekonomike, dhe po kaq përqind e të intervistuarve, 40%, pretendon të njëjtën gjë për zëvendëspresidenten Harris.

Shifra të tilla po përshkruhen si një sinjal paralajmërues për Trump, i cili është përpjekur ta lidhë Harrisin me gjendjen e ekonomisë gjatë drejtimit të Presidentit Joe Biden. Ekonomia ka qenë prej kohësh një pikë e dobët për Biden: Një sondazh i agjencisë Associted Press dhe qendrës NORC i kryer në fund të qershorit, përpara debatit Biden-Trump, dilte në përfundimin se rreth 60 pëpr qind amerikanë nuk binin dakord me mënyrën se si ai kishte drejtuar ekonominë. Më herët gjatë këtij viti, amerikanët kishin më shumë të ngjarë të thoshin se presidenca e Trumpit e ndihmoi vendin sa i përket kostos së jetesës dhe krijimit të vendeve të punës, krahasuar me administratën e Presidentit Biden.

Pasojat e rritjes së inflacionit në vitin 2022 në nivelin më të lartë të katër dekadave të fundit kanë zënë një vend të rëndësishëm në garën presidenciale të këtij viti. Konsumatorët janë të zemërmuar për shkak të faturave të çmimeve të larta të ushqimeve, ndërsa normat e larta të interesit po shtrëngojnë financiarisht ata që kanë blerë shtëpi apo automjete. Këto duket se kanë patur më shumë rëndësi për opinionin publik se sa shkalla e ulët e papunësisë prej 4.2 për qind dhe fitimet në tregun e letrave me vlerë.



AlbaniaWeb.net