Elita e Kosovës, Drita dhe Malisheva fitojnë në shtëpi
Drita ka arritur fitore në derbin e javës së 6-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra gjilanase arriti ta mposhtë kampionin në fuqi, Ballkanin, me rezultat 1:0. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Albert Dabiqaj, në minutën e 83-të. Me këtë fitore Drita ngjitet në pozitën e 6-të, me 9 pikë, por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Edhe në ndeshjen tjetër fitores iu gëzua skuadra vendase, ku Malisheva e mposhti Gjilanin, me rezultat 2:1. Malisheva e nisi ndeshjen me një penallti të shndërruar në gol nga Vesel Limaj, në minutën e 21-të. Gjilani reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin me golin e Edi Basha, në minutën e 44-t. Megjithatë, Laurent Xhylani shënoi golin e fitores për Malishevën në minutën e 52-të, duke i siguruar kështu tri pikët e plota. Kjo fitore e vendos Malishevën në pozitën e dytë, me 13 pikë, aq sa ka edhe Suhareka që kryeson renditjen.