Fri, Nov 29, 2024

Shkatërrohet laboratori i kokainës dhe heroinës në Prishtinë, zbardhen detajet! Si u zbulua nga policia

  • PublishedSeptember 22, 2024

Policia e Kosovës ka njoftuar se, gjatë mbrëmjes së 21 shtatorit, hetuesit e njësitit të anti-drogës kanë mbyllur një laborator të kokainës dhe heroinës në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, ky aksion erdhi pas një hetimi dhjetëmujor të një laboratori në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë.

“Dyshohet që ky ‘laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave, të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për këtë aksion njoftoi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky është laboratori i 19-të i tillë i shkatërruar në tre vjetët e fundit, periudhë gjatë të cilës u tha se janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë të llojeve të ndryshme të drogave.

“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Aksione të tilla janë raportuar edhe në të kaluarën. Në maj të vitit 2022, Policia e Kosovës kishte shkatërruar dy laboratorë të drogës – një në veri të Kosovës dhe një në Ferizaj.

Gjatë atij aksioni ishte zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës me mbi 10.000 fije bimë “të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg”, kishte thënë Sveçla në atë kohë.

Brenda gjashtë muajve të vitit 2023, nga përdoruesit e substancave narkotike janë konfiskuar rreth 5 gramë heroinë, rreth 58 gramë kokainë dhe rreth 1 kg marihuanë, kishte bërë të ditur Policia e Kosovës më parë për REL-in. Në të njëjtën periudhë, sipas saj, nga trafikuesit e substancave narkotike në tërësi janë konfiskuar rreth 2.6 kg heroinë, 4.6 kg kokainë, rreth 303 kg marihuanë, 3.5 kg hashash, rreth 1 kg ekstazi, mbi 1.100 bimë kanabisi, 3 mililitra vaj kanabisi, 120 gramë amfetaminë dhe rreth 2 kg droga të tjera.

Ndërkaq, për veprat penale ‘blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, si dhe për ‘kultivimin e bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, policia “ka hapur 291 raste dhe ka arrestuar 387 persona”.

Me Kodin Penal të Kosovës është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike; ata mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike, që iu kapet nga autoritetet e rendit./REL



AlbaniaWeb.net