Analiza/ Artur Zheji: Monarkia e pashpallur e stabilitetit. Berisha ndërton trashëgiminë e tij politike, ndërsa Rama stolis betejën e fituar të 2025
Asgjë nuk ndryshon në Fshatin tonë, të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit ëndërrojnë të pasurohen, lëpirësit shtohen ndërsa Shefat e gjithëpushtetshëm mbeten gjithmonë po ata!
Ndërsa Rama, befas serioz e i menduar fluturon për në Nju York me mision në Kombet e Bashkuara, Berisha del në dritaren e shtëpisë dhe i flet rrugës së Shpresës!
Shqipëria turistike, ndërkohë numëron të ardhurat që bartin turistët në arkat e shtetit dhe biznesit dhe u gëzohen verdhushkave që thuhet se po derdhen lumë!…
Ndërkohë që ujqit e nginjur ulërijnë plot epsh dhe neps, delet e shumta, gjithmonë e më të shumta, hanë barin e përditshëm me veshët ngrehur se mos ju mbin ndonjë kullë në mes të lëndinës së gjelbërt dhe bari ju soset.
Spak-u dhe Spakistët, si arkeologë në kërkim të rrënjëve të korrupsionit, gërmojnë llogore pafund dhe zbulojnë Shqipërinë e padukshme, që shtrihet më e madhe përfund Shqpirësisë së dukshme! Dhe llagëmet e zeza të ca burrave e grave shqiptare, trima e trimëresha sypatrembur, janë më të gjata se Muri Kinez, por i përmbysur si një qytet i nëndheshëm plot me qypa me florinj që ju derdhen…
Spakistët si dikur gladiatorët e Spartakut legjendar, premtojnë të rrënojnë Romën e pathyeshme të korrupsionit, porse ndeshja vazhdon dhe duket se gladiatorët Spakistë po japin shenja lodhjeje dhe rraskapitjeje, përpara mureve kryelarta të Perandorisë të së Keqes!
Ndërkohë, kusuri i Njerëzisë – njerëzia e ngratë mbytur në të përditshmen e vet, plot tik-tok, Instagram e Fb, rri ulur në shkallët e stadiumit social dhe ha fara luledielli, bën “likes” apo komente duke britur “on-line”, protestën apo tifozerinë e vet!
Asgjë nuk ndryshon as edhe në guzhinat e errta të intrigave, çipat spiunë dhe spiunët dhjetëftyrësh janë ngado dhe nuk ka më surpriza e komplote pas krahëve.
Realiteti i “Monarkisë së Stabilitetit” ka edhe algoritmet e veta spektakolare: Beneti, dikur kanakari i Berishës së papepur, bëhet sot kanakari kryesocialist i Shkodrës, ndërsa Erioni, zbulimi i dikurshëm i Ramës fitimtar, hyn në ujë në një të tretën dhe zvoglohet e zvoglohet pa zhurmë e plot ngërçe si djaloshi i dikurshëm mjaftist!
Super spektakël s’ke çthua!
Porse ekuilibri politik nuk prishet aspak nga këto super-lëvizje mbetur pa koment. Sepse ekuilibri dhe Uniteti është i hekurt!
Sepse kampet u fortifikuan edhe njëherë si qëmoti!
Kokrroçi i paepur, thinjoshi Berisha në njerin krah, gjatoshi Rama në krahun tjetër.
Berisha ndërton gurë-gurë piramidën e trashëgimisë politike, duke qëmtuar dhe duke futur në sherr kandidatët rivalë…
Rama, vijon të pikturojë apo të retushojë e stolisë, portretet e grupit të sulmit elektoral, për një betejë të fituar në tavolinë prej kohësh.
Në mes të dy super Shefave, në mes të Thinjoshit të paepur në dritaren e shpresës që nuk vjen dot dhe të Gjatoshit me kurorën e fitores në xhep pra, një lukuni me çakenj dhe krijesa kacavirëse, duan të hypin në anijet e mbingarkuara, që nisen për betejën e rreme të vitit 2025.
Historianët mund të veçojnë nga kjo kacavjerrje zhapikësh, padyshim disa shqytarë, të vjetër a të rinj politikë, me sigla të mëvetshme dhe me shpresa të rrespektueshme, por që nuk e trondisin dot Kandarin Zgjedhor që pritet në këtë sezon.
Dhe pra ja pse Sezona, nuk duket joshëse dhe me surpriza të dialektikës së brendëshme politike, përjashto këtu aksidentet e papërjashtueshme askurr në Historinë Njerëzore, apo si e thosh Balzaku i madh: në “Komedinë Njerëzore!” – sot më shumë komedi se askurr në Fshatin tonë.
Nëse një Fuqi e Mbinatyrshme nuk lëshon rrufe Zeusi, të gjithë e dinë se çfarë do të ndodhë dhe të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë se çfarë fshihet pas algoritmit të paracaktuar të zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërkohë shitësit e farave të kungullit dhe shitësit e farave të lulediellit, shtojnë fitimet e tyre dhe ushqejnë me vrasje kohe, spektatorët e shumtë të stadiumit të ndeshjes që pritet të fillojë…
Por kjo ndodh ngado, në çdo Fshat të Botës së madhe.
AlbaniaWeb.net