Ideja e Ramës për një “shtet bektashi” kritikohet si ‘narciziste dhe e rrezikshme’
Në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të dielën, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ishte e gatshme që të transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, të ngjashëm me Vatikanin.
Kjo ide e padëgjuar më parë u paralajmërua më herët nga Rama në një intervistë për New York Times, sipas së cilit qëllimi i këtij mikroshteti ishte promovimi i një Islami tolerat.
Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e duartrokiti idenë e Ramës dhe tha përmes një deklarate se ‘shteti i ri” nuk kishte të bënte me politikën, por me udhëheqjen shpirtërore.
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative,” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Ideja e Ramës për një “shtet sovran bektashi” u prit megjithatë me rrudhje vetullash dhe vlerësohet nga analistë të politikës si e çuditshme dhe absurde.
“Këtë ide të çuditshme për një vend të tillë që ka të bëjë me tërësinë territoriale të vendit, që kërkon ndryshime të Kushtetutës, ky njeri nuk e konsulton me asnjë shqiptar, por e deklaron nëpër botë, duke shpërfillur jo vetëm ne që na konsideron armiq, por edhe ata shqiptarë që e mbështesin apo janë pjesë e qeverisë së tij,” i tha BIRN publicisti Fatos Lubonja.
“Kjo tregon nivelin e rritjes së autoritarizmit, domethënë të rënies së demokracisë në Shqipëri,” shtoi ai.
Urdhri Botëror Bektashi është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet mes dy Luftërave Botërore. Mes shqiptarëve ata kanë pasur gjithmonë një prezencë të rëndësishme, duke u konsideruar feja e katërt për nga madhësia dhe pjesë e rëndësishme e shtetformimit dhe Rilindjes Kombëtare. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri vetëdeklarohen si bektashi rreth 115 mijë persona ose 4.8 për qind e popullsisë.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike e konsideron gjithashtu deklaratën për një shtet sovran të Bektashijve si “një ide të rrezikshme”.
“Rast tipik për të treguar se si Shqipëria vazhdon të drejtohet si një shtet personal dhe se vendimmarrja politike është terësisht jo institucionale,” tha Krasniqi.
Përtej deklaratave nga Nju Jorku, projekti është i mbuluar nga paqartësi ligjore dhe kushtetuese, ndërsa qeveria shqiptare nuk ka bërë publike asnjë të dhënë shtesë.
Propozimi për momentin është detajuar vetëm në pak rreshta nga Kryegjyshata Bektashiane në një deklaratë për mediat. Ata sqarojnë se do të jenë një “ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”.
Por studiuesi Enis Sulstarova thotë se plani nuk mund të trajtohet kaq thjeshtë dhe se ideja është në vetvete antikombëtare.
“Është diçka shumë e çuditshme, shumë absurde dhe thellësisht antikombëtare,” thotë Sulstarova, ndërsa sqaron se mikroshtetet janë në fakt mbetje të feudalizmit në Europë dhe nuk mund të jenë krijime të shteteve moderne.
“Shteti modern ka sovranitet popullor, teorikisht buron nga një popull i caktuar prandaj mikroshteti (pa territor e pa popull) bie ndesh me të,” shtoi ai.
Sulstarova shpjegon gjithashtu se tezat për një organizim politik në linja fetare janë rrëzuar gjithmonë në Shqipëri dhe kjo ide është një precedent i rrezikshëm “sepse bie ndesh me linjën kombëtare shqiptare që nga Rilindja e deri në kohën tonë”.
Ndryshe nga pretendimi i Ramës, Sulstarova thotë se kjo ide shkon përkundër asaj që promovohet si harmoni fetare në vend, pasi krijon një precedent përçarës.
Idetë provokative që tërheqin vëmendje janë një tipar i qeverisjes 11-vjeçare të Ramës dhe kjo e shtetit sovran të Bektashinjve nuk bën përjashtim. Sipas analistëve, deklarata e Ramës rrjedh më shumë nga nevoja e tij për vëmendje sesa nga një projekt i studiuar apo i menduar.
“Kemi të bëjmë me një përpjekje të kryeministrit për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e brendshme dhe për t’u bërë atraktiv në median ndërkombëtare,” tha Krasniqi, i cili shtoi se kjo e fundit i duket si një shpifje e momentit.
Të njëjtin mendim ndan edhe Fatos Lubonja, i cili vlerëson se ky mund të jetë një operacion mediatik për të hequr vëmendjen nga një sërë artikujsh në median ndërkombëtare, që e shohin Shqipërinë e qeverisur nga Rama si një “narkoshtet”.
“Tymnajë narciziste për të qëndruar në qendër të vëmendjes apo për të tërhequr vëmendjen nga akuzat në mediat botërore për ndërtimin e një narkoshteti,” tha ai.
Studiuesi Sulstarova komentoi gjithashtu se kryeministri Rama e sheh Shqipërinë si një vend ekzotik apo turistik, ku të vijnë të huajt dhe të vizitojnë një mikroshtet të bektashijve.
“Ne duam nga politikanët që të krijojnë një shtet normal, jo një shtet çudirash,” tha Sulstarova, i shqetësuar se politika po e korrupton fenë duke e shmangur atë nga qëllimi kryesor.