Lajme të këqija për Man. Cityn, Rodri mbyll sezonin
Barazimi në supersfidën përballë Arsenalit nuk ishte lajmi më i keq i mundshëm për Mançester Sitin. Por ai që ka marrë sot rreth mesfushorit Rodri, padyshim që po. Futbollisti spanjoll u dëmtua në minutën e 20 të ndeshjes dhe menjëherë vendosi dorën në gjurin e tij të djathtë. Veprimet e tij duke treguar dhimbje, lanë të kuptohet se bëhej fjalë për një dëmtim të rëndë. Dhe testet e kryera sot kanë vërtetuar për fatin e keq të tij dhe të “qytetarëve” se është një dëmtim i tillë.
Mjekët kanë konstatuar këputje të ligamentit kroçiat të gjurit të djathtë dhe për këtë arsye, lojtari duhet ta cilësojë që tani të mbyllur këtë sezon, me shpresën për t’u kthyer në fushat e lojës në atë pasardhës. Lojtari do të udhëtojë drejt Madridit për të bërë kontrolle të tjera në një klinikë të specializuar e më pas të vendosë për mënyrën se si do të trajtojë këtë dëmtim.
Rodri ka qenë një nga lojtarët më të pranishëm në fushë te Mançester Sitit që kur firmosi me këtë klub në vitin 2019. Ai ka kaluar 50 ndeshjet në sezon me “qytetarët” në çdo edicion përveç atij 2021-2022 ku luajti “vetëm” 46 ndeshje./REFORMA