Thu, Nov 28, 2024

Inside Story/ Zbulohen prapaskenat, si u caktua Shqipëria për stërvitjen masive “Defender 2021”

  • PublishedSeptember 25, 2024

Shqipëria është parë me mosbesim sa i përket kapaciteteve të saj, pavarësisht investimeve të fundit.

Madje, vendi ynë mbetej jashtë planeve të stërvitjeve të aleancës së NATO-s për mungesë kapacitetesh njerëzore dhe infrastrukturore. Këtë e tregon edhe një episod i ndodhur në Gjermani, pak vite më parë.

Në një konferencë me 400 pjesëmarrës, në sallë ishte një hartë e të gjithë Europës. Aty kishte nga një shenjë në vendet ku do të zhvillohej stërvitje, përvec Shqipërisë e cila nuk ishte planizuar fillimisht.

“Ma krijoji ai mundësinë për të bërë një prezantim të shkurtër lidhur me një studim që kisha bërë për Portin e Durrësit që kishte bërë shtabi përgjithshëm në atë kohë dhe për të gjitha zonat e e trajnimit që ka Shqipëria dhe pas prezantimit ndryshoi vendimmarrja e palës amerikane dhe në fund u tha që stërvitja do të zhvillohet në Shqipëri”, u shpreh Beqir Tafili, Shef i Shtabit të Forcës Tokësore.

Bëhet fjalë për stërvitjen Defender 21 e cila bëri që sytë e gjithë botës të ishin të kthyer nga Shqipëria. Ajo ishte konsideruar një nga stërvitjet më të mëdha të aleancës në dekada, dhe i paraprinte zhvillimeve të mundshme të rrezikshme në Evropë. Një prej atyre rreziqeve u bë fakt me luftën në Ukrainë dhe tensionet në Veri të Kosovës.

“Në vitin 2021 në vendin tonë kanë ardhur mbi 2000 trupa që u stërvitën në vendin tonë dhe kanë kaluar tranzit mbi 5000 trupa. Nga ana amerikane u vlerësua strategjik pozicioni i Shqipërisë në atë kohë dhe veçanërisht porti i Durrësit dhe të gjitha pikat e tjera. Ishte një vlerësim shumë i madh që ju bë jo vetëm FA por edhe vendit që u vlerësua për mikpritjen për gjithçka që ndodhi në vendin tonë në atë periudhë”, u shpreh Beqir Tafili, Shef i Shtabit të Forcës Tokësore.

‘Pjesëmarrja nëpër misione të shumta të japin një besim më shumë për të qenë në të njëjtin nivel dhe për të mundësuar që të mos kenë asnjë dallim nga kolegët e vendeve të tjera. Forcat tona speciale kryejnë një sërë aktivitetesh gjatë gjithë vitit me forcat partnere të NATO-s ne kemi disa plane bashkëpunimi me shumë vende që nga SHBA, Itali, Turqi, Britani e Madhe dhe operojmë me të njëjtat procedura veprimi. Jemi të barasvlefshëm me të gjitha proceduarat e veprimeve që kryejmë. Qoftë procedurat e veprimeve taktike por jemi të kompletuar me të gjitha pajisjet individuale dhe kolektive që i duhen një trupe speciale për të kryer detyra speciale”, u shpreh Nënkolonel Ajet Jata, Komandant i Operacioneve Speciale.



AlbaniaWeb.net