Sat, Nov 23, 2024

“Dënimi i një shpifësi, shtypje e fjalës së lirë e opozitarizmit?”, Rama: Kjo ide mori zë të lartë mbrëmë se shpifësit e banaqeve ndihen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar

  • PublishedSeptember 27, 2024

Reagimi i kreut të qeverisë, Edi Rama pas dënimit nga Gjykata e Apelit të deputetit Ervi Salianji u bë temë diskutimi në shumë studio televizive.

Kryeministri u është kundërpërgjigjur përmes një postimi në rrjetin social X këtë mbrëmje.

“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta.

Faktet e argumentat duan punë e aftësi të tjera nga aftësia për të shpifur, që i shkon për shtat çdo humbësi në betejën politike e çdo dembeli të paguar për të informuar publikun, për të cilin shpifja është një depo e pambarimtë municioni në shpirtin e zymtë dhe mendjen e ngushtë, ulur rehat në kolltukun e mendjeshitësit televiziv apo digjital”, shkruan Rama në reagimin nw X.



AlbaniaWeb.net