Sun, Nov 24, 2024

Superiore/ Partizani triumfon ndaj kampionëve, në Rrogozhinë fitojnë të kuqtë 0-2

  • PublishedSeptember 27, 2024

Egnatia-Partizani ishte padyshim supersifda e javës së 7 në kategorinë Superiore. Një sfidë që riktheu emocionet e finales së kampionatit të zhvilluar sezonin e fundit, aty ku në “Air Albania, Egnatia u kurorëzua për herë të parë si kampione e Shqipërisë.

Sfida nisi shumë më mirë për të kuqtë e teknikut serb Veselinoviç, të cilët kishin kontrollin e lojës dhe morën iniciativën për të kërkuar golin. Gol të cilin miqtë e gjetën në minutën e 19, ku pas zhvillimeve të një goditje nga këndi, ishte futbollisti kosovar Ismaili, i cili përfitoi duke dërguar topin në rrjetë për golin e avantazhit.

Edhe pjesën e dytë skuadra e Partizanit vijoi dominimin ndaj rrogozhinasve teksa, pas vetëm 15 minutash lojë, ishte sulmuesi Bintsouka, i aktivizuar vetëm me fillimin e pjesës së dytë, që dyfishoi rezultatin.

Në minutat e mbetura, skuadra e Partizanit diti të menaxhonte mjaft mirë epërsinë dhe të ruante avantazhin e dyfishtë, pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të shkurtuar diferencën e golave.

Me këtë sukses, ekipi i kuq parakalon në renditje ekipin kampion, duke u ngjitur në vendin e dytë me 12 pikë, 1 pikë më pak se sa kryesuesit e Vllaznisë, në pritje të sfidave të tjera që do të zhvillohen këtë fundjavë për Javën e 7.

AlbaniaWeb.net