Sun, Nov 24, 2024

Lufta kundër rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, DEA do hapë zyrë në Tiranë

  • PublishedSeptember 28, 2024

Grafia që SPAK i ka bërë grupeve të narkotrafikut të vendosura në vendet e Amerikës latine dhe ç’është më e rëndësishmja përfshirja e portit të Durrësit si një nga kanalet prej nga tranzitohet kokainë, është një nga arsyet se përse DEA do të hapë zyrë të posaçme në Shqipëri dhe nuk do të ketë më një ekspert siç e ka patur deri më tani.

Njoftimi që DEA do të hapë zyrë në Shqipëri u komunikua nga SPAK gjatë javës, pas një takimi midis kreut të  DEA-s, zj. Anne Milgram dhe kryeprokurorit Altin Dumani.

Po përse në këto momente DEA në Shqipëri kur aktualisht në Europë agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve është prezente në 16 zyra, dy prej të cilave në Ballkan dhe konkretisht njëra në Pire dhe tjetra Sofje.

Hetimet e vazhdueshme antidrogë të SPAK i cili i konsideron si jetike për të goditur krimin e organizuar si dhe dosjet nën shqyrtim hetimor, morën kurs më të afërt në 2022.

Së bashku me goditjet e njëpasnjëshme ndaj rrjeteve të kokainës , mbërritja e agjentit special të DEAS Brendan Leddy u pasua nga një tjetër lëvizje që sërish nuk u mbaj secret por u nda me publikun.

Një vit më vonë, në mesin e 2023 po përmes ambasadës amerikane në të njëjtën kohë kur SPAK raportoi se porti I Durrësit po shfrytëzohet për ngarkesat e kokainës jo vetëm nga grupet shqiptare por edhe grupet e Maqedonisë së Veriut, DEA vendosi kontakt direkt me qytetarët shqiptarë.

Përmes ambasadës Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve vendosi në dispozicion një numër WhatsApp dhe e-mail ku mund të komunikohet drejtpërdrejt me DEA për të treguar mbi trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të narkotikëve. Shumë detaje të hapjes së zyrës së DEAs në Tiranë mbeten në zhvillim e sipër.

Por ajo çfarë dihet nga raportimi vjetor i SPAK  është se grupet kriminale shqiptare janë prezente në Amerikën latine dhe cilësohen active në tregjet e Evropës, Britanisë së Madhe dhe Ballkanin perëndimor dhe eksportojnë ngarkesa të konsiderueshme.

SPAK i konsideron këto grupe të suksesshme dhe që konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase në Amerikën Latine deri aty sa kanë korruptuar dhe kanë akses në nivele të larta qeverisëse dhe të agjencive ligjzbatuese në Amerikën latine.

Në fakt ajo që po ndodh është se Kutia e hapur e Pandorës përmes bisedave Sky ECC tregoi se grupet shqiptare të narko trafikut të këtij niveli kanë rekrutuar  përmes korruptimit zyrtarë të policisë vendase dhe njerëz të drejtësisë. Dhe vetëm për një vit SPAK thekson se ka sekuestruar si asete të krimit të organizuar, pasuri me vlerë 40 milionë euro.

 



AlbaniaWeb.net