SHBA, pikëpamjet mbi armëmbajtjen nuk ndryshojnë pas atentateve ndaj Trump, qytetari: Çdo njeri i keq mund të ketë në dorë një armë
Kandidati republikan për president Donald Trump ka qenë objektiv i dy atentateve gjatë kësaj fushate.
Zëri i Amerikës foli me disa pronarë armësh, të cilët, siç njofton korrespondentja Veronica Balderas Iglesias, thonë se atentatet nuk kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre për ligjet e armëve.
Forcat e rendit penguan një atentat kundër ish-presidentit Donald Trump, duke arrestuar një të dyshuar me armë në një fushë golfi në Florida në fillim të këtij muaji.
Kjo pason një atentat tjetër në një tubim fushate në Pensilvani në korrik, në të cilin u plagos zoti Trump.
Zëri i Amerikës pyeti pronarët e armëve se si po ndikojnë këto atentate në pikëpamjet e tyre mbi kontrollin e armëve në këto zgjedhje. Matthew Gonzales thotë se ishte i tronditur nga sulmet ndaj zotit Trump, por shton se të gjithë amerikanët kanë të drejtë të vetëmbrohen.
“Çdo njeri i keq mund të ketë në dorë një armë. Nuk është e vështirë të sigurohen ato. Gjithmonë do të ndodhë. Kjo është arsyeja pse ju duhet të keni kujdes për veten tuaj”, thotë ai.
Aktivisit i të drejtave të armëmbajtjes, Nik Clark i tha Zërit të Amerikës se tentativat për vrasje riafirmojnë sesi armët e zjarrit mbrojnë qytetarët e rregullt dhe presidentin.
“Shërbimi Sekret është i armatosur dhe Shërbimi Sekret që mbron presidentin, e pa personin ose e pa armën të drejtuar pranë shkurreve. Nuk është e nevojshme që çdo person të mbajë armë, por nëse do të kishte më shumë njerëz që mbanin armë për vetëmbrojtje, këta kriminelë do të mendonin dy herë para se të vepronin”, thotë ai.
Por shumica e amerikanëve thonë se është shumë e lehtë të blesh një armë dhe mbështesin miratimin e ligjeve më të rrepta mbi rregullat për blerjen e armëve, sipas Qendrës Kërkimore “Pew”.
Çdo njëmbëdhjetë minuta, dikush vdes nga dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara, thekson studiuesja e çështjeve që lidhen me parandalimin e dhunës me armë, Mallory O’Brien.
“Për të rinjtë e moshave nga 1 deri në 17 vjeç, shkaku kryesor i vdekjes janë armët e zjarrit. Aktualisht kemi nivelin më të lartë të vetëvrasjeve me armë në historinë e vendit tonë”, thotë ajo.
Ajo thotë se kontrolle më të plota të së kaluarës dhe masa të tjera mund të ndihmojnë në pakësimin e dhunës nga armët.
Por bashkëpronarja e një poligoni të qitjes në Viskonsin, Cheryle Rebholz, favorizon zbatimin e ligjeve ekzistuese për armët në vend miratimit të ligjeve të reja.
“Mund t’i shihni armët e zjarrit pas meje. Ato janë objekte të pajetë dhe nuk lëvizin vetë. Ne, pronarët e armëve nuk i përdorim ato për krime. Ne jemi pronarë të përgjegjshëm armësh”, thotë jo.
Autoritetet thonë se arma e përdorur në atentatin e parë ndaj zotit Trump duket se është blerë legalisht.
Ndaj të dyshuarit për atentatin e dytë u ngritën akuza për posedim të paligjshëm të armës së zjarrit si kriminel i dënuar më parë dhe fshirje të numrit identifikues të armës.
AlbaniaWeb.net