Opozita kritike ndaj dokumentin qeveritar për negociatat me BE-në
Komisioni parlamentar për Çështjet Europiane mori në shqyrtim të hënën një dokument të qeverisë shqiptare për “Pozicionin Negociues për Grupimin 1 të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE”, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e dytë ndër-qeveritare mes Tiranës dhe Brukselit në tetor.
Por opozita e priti me kritika këtë dokument, edhe pse përmbajtja e tij mbahet konfidenciale për publikun dhe u diskutua me dyer të mbyllura.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila drejton këtë komision, mbajti një qëndrim publik për të sqaruar pozicionin e opozitës ndaj procesit dhe shqetësimet për draft-dokumentin që do të negociohet me BE-në.
Ajo tha se opozita do të vijonte të mbështeste procesin, por kërkoi që ai të mos ishte “fasadë” apo “teorik”.
Sipas saj, qeverisja socialiste kishte dështuar të plotësonte shumë nga standardet demokratike, që nga shteti i së drejtës, balancën e pushteteve, zgjedhje të lira, etj.., ndërsa këto çështje nuk kishin marrë prioritetin që duhej në dokumentin e qeverisë.
“Fatkeqësisht, në “roadmap”-in e miratuar një javë e pak më parë, kemi parë mungesën e vullnetit politik për një reformë zgjedhore konform këshillave të OSBE-ODIHR,” tha ajo duke kërkuar nga mazhoranca që ky proces “të ndodhë brenda vitit 2024, ndryshe sa propozon qeveria mbas zgjedhjeve të 2025”.
Tabaku po ashtu ngriti shqetësimin për mosrespektim nga ana e mazhorancës të balancës mes pushteteve dhe shtetin ligjor, që sipas saj, “janë sot në rrezik”.
“Mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, ku shpesh korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë mbrojtur përmes forcës së shumicës parlamentare, duke thyer parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Opozita kërkoi që qëndrimi i saj për problematikat e evidentuara për moszbatimin e standarteve që kërkon integrimi të shoqëronin dokumentin që qeveria shqiptare do të prezantojë në mbledhjen e dytë ndër-qeveritare, që shënon dhe çeljen e negociatave për anëtarësim.
“Ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi me në qendër qytetarët kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë,” përfundoi Tabaku .
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, e akuzoi Tabakun se po bënte deklarata politike në një mbledhje ku do të duhej të diskutohej në mënyrë konfidenciale vetëm për përmbajtjen e dokumentit të qeverisë për pozicionin negociues.
Sipas dispozitave ligjore, Komisioni për Çështjet Europiane shqyrton dhe jep sugjerime mbi dokumentin qeveritar, duke bërë të mundur përfshirjen me aktive të parlamentit në procesin e integrimit.
Ftesa për qeverinë shqiptare për të paraqitur dokumentin për “Pozicionin Negociues” erdhi nga Presidenca Hungareza e Këshillit të BE- së nëpërmjet një letre të datës 25 shtator, ku parashikohej dhe një afat i përafërt për mbajtjen e mbledhjes së dytë ndër-qeveritare në mesin e Tetorit.
Shqipëria ka përmbyllur procesin “screening” që i paraprin çeljes së negociatave për anëtarësim duke nisur me kapitujt themelorë që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.