Fiks Fare/ Cekes i mbyllin saraçineskën, zgjidhet problemi i mbifaturimit të ujit
Humoristi i mirënjohur Sejfulla Myftari ndryshe i njohur si Cekja i Beratit i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” më 25 shtator.
Ai ka problem me shtëpinë e tij të pushimit që ka në Sarandë, pasi edhe pse nuk jeton njeri ai paguan faturat e ujit mbi 6000 lekë në muaj.
Shtëpinë në Sarandë Cekja e ka prej 22 vitesh, por problemin me mbifaturim e ka kohët e fundit. Ai tregoi për “Fiksin” se në dy muaj korrik e gusht faturat e ujit kapin vlerën prej 11.500 lekë pa qenë kush në shtëpi.
“Unë duhet të pyes komshinjtë mos ka çarë ndonjëri tubin tim dhe ka hapur lavazh”, u shpreh ai.
Më pas ai tregoi se ka bërë kërkesë pranë UKS për ndërrim të matësit dhe ka shlyer gjithë pagesat me vlera të konsiderueshme duke i zeruar ato në korrik të 2024.
Por çudia ndodh se edhe pse kishte zeruar gjithçka në UKS ai del sërish debitor. Faturat e korrikut dhe gushtit janë në vlerën 11500 lekë. Ankohet sërish dhe merr si përgjigje që nuk është faji lexuesit, pra nuk ka mbifaturim, por fajin e ka sahati.
Fiksi e zgjidhi problemin e Cekes pas disa ditësh.
“Pas marrjes së ankesës grupi i verifikimit është dërguar në terren për të kryer kontrollin përkatës. Sipas konstatimeve të grupit, matësi i ujit lexon saktë dhe nuk ka probleme teknike. Megjithatë, është vërejtur një konsum i lartë i ujit, i cili pas kontrolleve të kryera janë si rezultat i një rrjedhje në banesë. Kjo rrjedhje është shkaktuar nga një saraçineskë e dëmtuar, e cila ishte konstatuar gjatë kontrollit. Janë ndërmarrë masat e nevojshme për riparimin e rrjedhjes.
Ky rast tregon rëndësinë e mirëmbajtjes së rrjetit të brendshëm për të shmangur konsumet e panevojshme të ujit dhe kostot shtesë që mund te krijohen për abonentët”, shkruhet në reagimin e UKS.
AlbaniaWeb.net