Sylvinho humbet “pykat”, Broja e Manaj të dëmtuar, por ka gati një emër risi
Me Brojën të dëmtuar dhe me Rey Manaj në dyshim të fortë, vetëm një mrekulli mund ta rikthejë në fushë sulmuesin e Sivasspor, Sylvinho është i detyruar të ribëj nga e para repartin ofensivë. Lajmi i mirë është rikthimi i Mirlind Dakut, me qendërsulmuesin që mbetet alternativë e vetme për majën e sulmit.
Gjithsesi, në arsyetimin pse la jashtë Evropianit Myrto Uzunin, Sylvinho theksoi se ai dhe stafi i tij e shohin Uzunin si qendërsulmues, në këtë optikë, lajmi i mirë është se Uzuni po kalon një moment të shkëlqyer me dy gola dhe një assist në 3 ndeshjet e fundit.
Rolin e qendërsulmuesit, në kushte emergjence mund ta bëjë edhe Taulant Seferi, i cili në Turqi po kap formën e tij më të mirë me 2 gola në 2 ndeshjet e fundit. Pjesa tjetër e fazës ofensive është e gjitha në dispozicion dhe në kushte optimale. Jasir Asani është rikthyer lider tek ekipi i tij, ndërsa Nedim Bajrami po shkëlqen me fanellën e Rengers.
Sipas të gjithë gjasave, Sylvinho pritet të grumbullojë në këto dy takime në Ligën e Kombeve edhe Ernest Muçin, me sulmuesin që nuk u përfshi në dy sfidat e para. Muçi zbriti titullar të hënën për Beshiktash.
Një mungesë e sigurt është ajo e Medon Berishës pasi drejtori sportiv i Lecce konfirmoi se Berisha është jashtë, shpresojnë që të rikuperohet pas pauzës që sjellin ekipet përfaqësuese.
Një risi në këtë listë të Sylvinho-s për takimet kundër Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë pritet të jetë Adrion Pajaziti, talenti i shpresave që dhuroi spektakël përballë Zvicrës me një “dopietë” golash duke mbajtur në lojë “vogëlushët” e Alban Bushit.
()