Wed, Oct 2, 2024

Gafa e Flamur Nokës, poston videon kur Ilir Meta shkatërroi tavolinën e ministrave kur PD ishte në pushtet

  • PublishedOctober 2, 2024

Pas përjashtimit me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, Flamur Noka ka zgjedhur që të reagojë përmes publikimit të një videoje dhe një krahasimi të disa viteve më parë, 2006-2007, kur në sallën e Parlamentit diskutoheshin ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

“Ishte koha kur socialistët shanin, fyenin, thyenin e digjnin, por askush si kërcënonte me burg. Shqiptarët asokohe nuk kishin narkoregjim mbi kokë”, shkruan Noka bashkangjitur këtyre pamjeve.

Por në fakt, në pamje shfaqet momenti kur Ilir Meta, në atë kohë në opozitë, thyente tavolinat në Kuvend të ministrave të PD që ishin në pushtet.

Noka duket se ka “harruar” dhe ka hedhur në skenë “si shkatërrues” Ilir Metën, sot aleat i tij. Ishte koha kur Partia Demokratike sapo kishte ardhur në pushtet pas 8 vitesh të vështira opozitë dhe Ilir Meta ishte ndarë nga PS dhe kishte krijuar LSI-në.

E megjithatë kjo harmoni mes Metës dhe ish-partisë së tij, e treguar në videon e postuar nga Noka, zgjati deri në zgjedhjet lokale të 2007, përpara se në 2009 me 4 deputetët e marrë në zgjedhje u bashkua me Sali Berishën dhe e mbajti këtë të fundit edhe një mandat tjetër në pushtet.



AlbaniaWeb.net