Njëri shiste drogë, tjetri lejoi ndërtimet pa leje, pezullohen 2 oficerë policie në Fier dhe Berat
Dy oficerë policie janë pezulluar në Fier dhe Berat, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Fier, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për punonjësin e policisë Inspektor B.D., 30 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Divjakë, i dyshuar për veprat penale“Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga veprimet hetimore u dokumentua se punonjësi i policisë, ka qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Masa e sigurimit personal caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë A. Ç., 57 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist i policimit në komunitet, në Komisariatin e Policisë Berat, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera është dokumentuar konstatimi i disa rasteve të ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velabisht, zonë përgjegjësie e këtij punonjësi policie, i cili ka lejuar vijimin e ndërtimeve të paligjshme, kundrejt përfitimit të vlerave monetare.
AlbaniaWeb.net