Dogji me benzinë ish-gruan/ I përlotur dhe në gjendje të rënduar psikologjike, Bledar Trëndafili shfaq pendesë në gjykatë: S’më linte të shihja fëmijët
Me lot në sy dhe në gjendje të rënduar psikologjike, Bledar Trëndafili, u shpreh i penduar kur doli sot para gjykatës për aktin e rëndë që ndërmori një muaj më parë kur leu me benzinë ish-bashkëshorten dhe i vuri flakën.
Gjatë seancës, ai deklaroi se Melida Trëndafili nuk e lejonte të takonte fëmijët dhe e akuzoi ish-gruan për tradhti.
“Nuk doja ta bëja por arrita e bëra. Jam penduar. Ajo nuk më lejonte të takoja fëmijët, më tradhtonte dhe prandaj arrita deri atje”, tha ai.
45-vjeçari u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar në mungesë nga gjykata e Korçës pas ngjarjes së rëndë. Prokuroria kërkoi që 45-vjeçari deri në përfundim të hetimeve të lihet në burg, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Bledar Trëndafili u arrestua dy ditë më parë, pas një muaji arrati. Ngjarja e rëndë ndodhi në 31 gusht, në lagjen 2 të qytetit juglindor, ku ai i hodhi benzinë ish-bashkëshortes dhe i vuri flakën. Për pasojë, Melisa mori plagë të rënda djegieje në trup.
Në një intervistë për “Shqipëria live”, ajo ka treguar se është djegur në 80% të trupit dhe plagët më të rënda i ka në duar dhe këmbë.
AlbaniaWeb.net