Kosova/ Nuk ka fitues në Drita-Gjilani, Prishtina mposht Feronikelin 74
Në derbin e xhiros së tetë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, Drita dhe Gjilani u ndanë pa fitues, pasi përballja e zhvilluar të shtunën në terrenin me bar sintetik në Gjilan përfundoi me rezultat 1:1.
Të dy golat u shënuan në pjesën e parë të takimit. Drita kaloi në epërsi në minutën e 35-të, kur Arb Manaj shënoi me kokë pas një asistimi të saktë nga Raddy Ovouka. Megjithatë, në minutat shtesë të pjesës së parë, Armend Thaqi barazoi rezultatin për Gjilanin nga penalltia.
Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja skuadrat deri në fund, por asnjëra nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës përsëri, pavarësisht disa rasteve të mira.
Pas këtij barazimi, Drita qëndron në vendin e pestë me 13 pikë, por ka dy ndeshje të mbetura kundër Prishtinës dhe Suharekës. Ndërkohë, Gjilani me 9 pikë mban vendin e shtatë.
Ndërkohë, Prishtina, pas humbjes nga Gjilani në javën e kaluar, është rikthyer te fitorja, duke triumfuar me rezultat 2:0 ndaj Feronikelit 74. Golin e parë për Prishtinën e shënoi Rigon Llugiqi në minutën e 40-të, ndërsa Paul Ngatta vulosi fitoren me golin e tij në minutën e 90’+4’. Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në vendin e tretë me 13 pikë, ndërsa Feronikeli 74 mbetet në fund të tabelës, me vetëm një pikë nga tetë ndeshje.