Sun, Oct 6, 2024

1500 atletë nga Shqipëria dhe Europa morën pjesë në “Half Maratonë dhe Minimaratona Skampa 2024”

  • PublishedOctober 6, 2024

Këtë të dielë në qytetin e Elbasanit u zhvillua “Half Maratona dhe Mini Maratona Skampa 2024”.

Ky aktivitet sportiv me përmasa ndërkombëtare u zhvillua për herë të dytë në këtë qytet me pjesëmarrjen e 1500 atletëve nga Shqipëria, Rajoni, Europa dhe nga shtete të tjera nga kontinente të ndryshme. Mes tyre kishte emra të spikatur të atletikës nga të gjitha grupmoshat . Kryebashkiaku i Elbasanit , Gledian Llatja, duke përshëndetur pjesëmarrësit të cilët u mikpritën jashtëzakonisht mirë nga vendasit u shpreh se synimi i kësaj bashkie është që ky aktivitet të kthehet në traditë, pasi ka një ndikim të madh në promovimin e Elbasanit edhe ka ndikim në zhvillimin e turizmit. Gjysmë maratona dhe minimaratona Skampa 2024 startoi në orën 09:00 në sheshin para Portës së Kalasë së Elbasanit dhe u mbyll pas orës 12:30.

Gjatë garave në distancën 5km, 10km dhe 21 km ,mes shumicës së pjesëmarrësve pati një garë të fortë duke treguar kështu vlerësimin maksimal të këtij eventi sportiv i cili u ndoq me shumë interes nga qindra e mijëra elbasanas përgjatë rrugëve të përshkuara nga atletët.

Ky event sportiv tashmë është kthyer në traditë dhe do të zhvillohet gjithmonë gjatë muajit Tetor, i cili është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, dhe synohet që të përcjellë mesazhe të shumta sensibilizuese në luftën kundër kancerit të gjirit , si edhe të mbrojtjes të drejtave të fëmijëve. Gjithashtu nga pjesëmarrësit në garat e “Skampa 2024” u bë thirrje për një shëndet më të mirë, mirëqenie dhe shumë pozitivitet në jetë për të gjitha grupmoshat .

Në gjysmë maratonën dhe Mini maratonën Skampa Elbasan 2024 morën pjesë vrapues edhe atletë profesionistë nga 15 vende të botës, si Anglia, Ukraina Austria, SHBA, Sllovenia, Gjermania, etj.

Në përfundim të aktivitetit u ndanë dhe çmime për fituesit e garave në 5 km, 10 km dhe 21 km.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit u aktivizuan shërbimet e policisë së Elbasanit si edhe 120 punonjës të Klubit Shumësportësh Elbasani.

AlbaniaWeb.net