Ukraina do të shkëmbejë territore? “Financial Times” zbardh planin që po diskuton perëndimi për ta futur në NATO
Lufta në Ukrainë arriti në ditën e 956 dhe zyrtarët e Kievit, së bashku edhe me aleatët perëndimorë, me sa duket po vlerësojnë një kompromis të mundshëm që përfshin “anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të disa territoreve të pushtuara nga Rusia”. Lajmin e ka bërë të ditur “Financial Times”.
Deri tani gjithçka është në kuadrin e diskutimeve, por situata është komplikuar së fundmi sepse nuk ka konsensus në Këshillin e Bashkimit Europian për një zgjatje kohore të sanksioneve, apo një bllokim tjetër ndaj aseteve që Banka Qendrore Ruse zotëron në Evropë.
Kjo marrëveshje konsiderohet thelbësore për t’i dhënë garanci SHBA-ve që të marrin pjesë me 20 miliardë dollarë në huanë që G7 ka vendosur të marrë për të ndihmuar Ukrainën. Ndër vendet më të zëshme që kundërshtojnë huanë është Hungaria.
Gjatë vizitës së tij në Kiev, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte bëri të ditur se ishte pro hyrjes së Ukrainës në Aleancën e Atlantikut, por Volodymyr Zelensky iu përgjigj se Nato duhet të dërgojë sa më shpejt armët me rreze të gjatë veprimi: “Pa mjete të caktuara dhe mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, ne nuk mund ta ndalojmë Rusinë”, deklaroi Zelensky.
Ekspertët thonë se në kushtet aktuale është e vështirë që Ukraina t’i bëjë ballë luftës, ndaj edhe është rikthehet ideja e këmbimit të territoreve. Ata vënë në dukje se konflikti Rusi-Ukrainë ka nisur që para 10 vitesh, me agresionin e Moskës në rajonin e Donbasit. Që prej vitit 2014 Rusia në forma të ndryshme i ka marrë vazhdimisht territore Ukrainës, ndërsa kjo e fundit ka surprizuar vetëm me një betejë: atë në rajonin e Kurskut, por është shumë pak në raport me çfarë ka humbur në një dekadë.
AlbaniaWeb.net