Sun, Nov 24, 2024

Kosova nis përgatitjet, synohet maksimumi në Nations League

  • PublishedOctober 7, 2024

Kosova ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme të tetorit në kuadër të Ligës së Kombeve, kundër Lituanisë dhe Qipros, të cilat zhvillohen më 12, përkatësisht 15 tetor. Në seancën e parë stërvitore morën pjesë 12 futbollistë: Arjanet Muric, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Andi Hoti, Donat Rrudhani, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Fisnik Asllani, Emir Sahiti dhe Eliot Bujupi. Pjesa tjetër e futbollistëve që luajtën gjatë të dielës në klubet e tyre zhvilluan stërvitje rigjeneruese në palestër.

Atmosfera në kamp është pozitive dhe lojtarët janë në formë të mirë fizike. Trajneri Franco Foda, së bashku me stafin e tij teknik, po punojnë për të përgatitur skuadrën sa më mirë për ndeshjen e parë kundër Lituanisë. Fisnik Asllani dhe Andi Hoti shfaqën optimizëm për paraqitjet në këto dy ndeshje, duke u shprehur të motivuar për të arritur rezultate pozitive.

“Jam krenar që jam grumbulluar sërish me Kombëtaren dhe shpresoj që do të kemi dy lojë shumë të mira. Do të japim maksimumin që të marrim 6 pikë nga ky grumbullim. Krejt ekipi është shumë i motivuar dhe duam t’i mposhtim të dy kundërshtarët. Do të punojmë maksimalisht ditët e ardhshme për t’u përgatitur sa më mirë taktikisht. Debutimi me Kosovën ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme dhe që nuk do ta harroj kurrë. I kam bërë krenar familjen dhe shokët”, tha Asllani.

“Është një ëndërr e realizuar që jam ftuar për këtë grumbullim. Besoj se do të kemi dy ndeshje të mira dhe me rezultat pozitiv. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Sot nuk ishim të kompletuar për shkak të stërvitjeve rigjeneruese të disa lojtarëve, por nga nesër do të stërvitemi të gjithë së bashku dhe do të përgatitemi maksimalisht edhe taktikisht”, tha Andi Hoti. Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë të martën në orën 16:00 në Kampin Nacional në Hajvali.

AlbaniaWeb.net