Ecuria/ “Mur” i kuq, Partizani harron si pësohen golat
Partizani duket se çdo ditë e më shumë po arrin të konsolidohet në mbrojtje, një repart, që prej shumë kohësh nuk e ka ofruar sigurinë që i duhet një ekipi kampion. Por nëse nuk e ka gjetur për sulmin, duket se Veselinoviç ka arritur të gjejë recetat e duhura për mbrojtjen.
Me serbin në krye të ekipit, skuadra nuk ka pësuar gol në tri ndeshjet e fundit kundër Tiranës, Egnatias dhe Bylisit. Në Tetë javë të kuqtë kanë pësuar 5 gola, 1 më shumë se Elbasani dhe më pak se gjithë të tjerët. Dyshja me Sembene dhe Prekën, por edhe me Hadrojn dhe Bytyçin si i majtë duket se është shndërruar në një mur të fortë, që prej disa sfidash nuk thyhet.
Pavarësisht se në skuadër është bashkuar Domgjoni, me këtë formë të lojtarëve aktualë, prizrenasit me siguri do t’i duhet të presë për gabimet e të tjerëve. Duhet thënë se edhe Qirko çdo ditë e më shumë po fiton siguri dhe po i përgjigjet kërkesave të një ekipi si Partizani. Thonë se sulmi i mirë fiton ndeshjet, por mbrojtja e fortë të jep titullin. Të shohim!