Wed, Oct 9, 2024

Agron Llakaj shpërthen në lot, dedikimi rrëqethës për Kostandinën

  • PublishedOctober 9, 2024

Agron Llakaj, ishte i ftuar këtë të mërkurë në “Vizioni i Pasdites”, për të folur mbi show-n më të ri të humorit “Papare Najt”, i cili do të transmetohet ditën e shtunë në orën 21:00 në ekranin e Vizion Plus.

Gjatë intervistës, aktori u përlot kjo pasi biseda kaloi në një temë që e preku jashtzakonisht shumë, tek bashkëshortja Kostandina që ka ndërruar jetë pak kohë më parë.

“Është një kohë kur nuk e kuptoj edhe vetë se ku jam. Si ndjenjë e kam, kërkoj të qesh brenda së qarës time, të mbys të qarën me të qeshur dhe sërish qaj. Kërkoj në një perde të errët një pikë dielli, për të ardhmen e fëmijëve të mi. E di që shpirti i asaj më ndjek nga lart”,- u shpreh Llakaj, ndërsa shtoi se bashkëshortja e tij di të vijojë të jetë me të në çdo moment, edhe pse jo fizikisht.

Brikena Prifti: “Papare Najt” e nis në momentin më të vështirë. Ku e gjen forcën?

Agron Llakaj: Nuk e prisja këtë pyetje.

Brikena Prifti: Vlerësimet më të mëdha që njerëzit kanë pasur për ty, ka qenë raporti që ke pasur për Kostandinën?

Agron Llakaj: Nuk flas dot, në këtë moment. (përlotet)

Brikena Prifti: Teos dhe Brus e presin gjyshin këtë periudhë? Ke ndarë para pak ditësh një foto që ishte dhe ditëlindja, besoj se ata ty të kanë pikën më të fortë?

Agron Llakaj: Unë nuk do të doja ta cekja këtë temë, sepse e di që janë kohët më të vështira në jetën time. Më duhet të qesh, kur nga brenda qaj, dhe e kam shumë të vështirë, por do të përdor më tepër më rrok pjesa e vuajtjes dhe e dhimbjes, edhe pse mundohem ta kaloj. Pardje isha në një ceremoni dhe më erdhi një nënë në moshë, më tha bëhu i fortë Agron, do na bësh për të qeshur, sepse është mision. Ti duhet të jesh më i fortë në këtë mision, pasi të gjithë kemi nga një shpirt, por ti ke dy, ke dhe shpirtin e  Kostandinës. Më mungon tmerrësisht, pse më futët në këtë pyetje.

Brikena Prifti: Nuk dua të të pyes më shumë Goni, pasi unë e di që ti ke dhënë shumë. E përmenda pak më parë që ti gjatë kësaj kohe ke treguar lidhjen me nipërit dhe me mbesën, që është bërë një zonjushë.

Agron Llakaj: Ata janë burim motivimi, shprese. Nuk e dija që Zoti do më rezervonte këtë lloj fati, se thonë që Zoti të sprovon për të treguar se sa i fortë është njeriu, unë nuk jam kaq i fortë, nuk futem tek ajo seri e njerëzve. Dikur i thoja Kostandinës se është Agronizuar, tani kuptoj që jam Kostandinizuar. Unë duhet të marr dashurinë e atyre të vegjëlve, por dhe të rriturve. Ime bijë pati ditëlindjen më 22 gusht, dhe nuk mund t’i thoja veçse unë nënë për ty nuk mund të bëhem kurrë. Është një kohë kur nuk e kuptoj edhe vetë se ku jam. Si ndjenjë e kam, kërkoj të qesh brenda së qarës time, të mbys të qarën me të qeshur dhe sërish qaj. Kërkoj në një perde të errët një pikë dielli, për të ardhmen e fëmijëve të mi. E di që shpirti i asaj më ndjek nga lart.

Brikena Prifti: Por është mision…

Agron Llakaj: Është mision, por duke ditur që unë kam ndarë me të çdo moment, më mungon fjala e parë, kritika e parë e shokut tim.

Brikena Prifti: Goni, të kërkoj ndjesë për pyetjen, por të vlerësoj shumë.

Agron Llakaj: Unë nuk mund të rri pa përmendur. Qendrimi afër i të gjithë njerëzve dhe miqve. Njeriu i mirë duket në ditët e vështira. Në momentin që Genci më thirri për t’u rikthyer në “Fake Off” e më pas për t’u bërë pjesë e një misioni tjetër, premtoj se do luftoj me dy shpirtrat. Unë jam ky që jam dhe do ta bëj atë që dua. Në gjithë misionin tim, do ta gdhend emrin e Kostandinës që është tek unë, e cila është bashkëshoqëruese në gjithë veprimtarinë time.