Ndryshim i papritur, Lazio “mediton” rikthimin e Hysaj, mediat zbardhin kontratën e “re”
Hysaj-Lazio mbetet një marrëdhënie e trazuar me shumë pikëpyetje, për të tashmen dhe të ardhmen. Është e qartë se anësori kuqezi nuk bën pjesë në planet e klubit, por kontrata e tij është kthyer në një shqetësim pasi mediat kanë zbuluar një detaj që do të thotë shumë. Prej kohësh flitej se Hysaj është nën kontratë me Lazio-n deri në fund të këtij sezoni, por sipas “TuttomercatoWeb”, Hysaj ka një kontratë me Lazio-n deri më 30 qershor 2026.
Ky detaj trazon edhe një herë kartat pasi Lazio është e detyruar të paguajë edhe për dy vite, gjithnjë nëse anësori kuqezi vendos të mos largohet. Sigurisht kjo është një periudhë e gjatë si për lojtarin ashtu edhe për klubin pasi ekipi kryeqytetas është i detyruar t’i paguajë 2,8 milionë euro në sezon, ndërsa Hysaj ka nevojë të luajë. Situata në shtëpinë e Lazio-s ka marrë një tjetër rrjedhë pas dëmtimit të Lazzari-t. Mbrojtësi ka pësuar një tërheqje muskulore dhe është i detyruar të qëndrojë jashtë fushës së lojës për të paktën 1 muaj.
Në kushte të tilla, sipas “Il Messaggero”, Lazio po shqyrton opsionin për të rikthyer Hysajn në ekipin e parë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendos trajneri Baroni pasi dukshëm është në emergjencë.